Kuriozitet

Mosmarrëveshjet në Liban për shtyrjen e orës para

Njerëzit në Liban janë zgjuar të dielën në dy zona të ndryshme kohore, si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes autoriteteve politike dhe atyre fetare se kur duhet shtyrë ora para, raporton BBC.

Kryeministri në detyrë i Libanit, Najib Mikati, ka njoftuar se shtyrja e kohës para për një orë do të nisë pas Ramazanit, muajin e ardhshëm, në mënyrë që myslimanët ta kenë agjërimin më të shkurtër.

Por, autoritetet krishtere thanë se do ta ndryshojnë orën të dielën e fundit të marsit (sot), siç ndodh shumicën e vjetëve.

Shumë biznese e kanë ndjekur këtë rrugë.

Mosmarrëveshja për ndryshimin e orës, tregon ndarjen e thellë në një vend ku grupet e krishtera dhe ato myslimane zhvilluan një luftë civile në fund të viteve 70-ta dhe 80-ta dhe ku pozitat politike ndahen mes grupeve fetare.

Të enjten Mikati, një mysliman sunit, bëri të ditur vendimin e tij për ta lëvizur orën pas 20 prillit kur përfundon Ramazani.

Ai nuk ka dhënë arsye prapa vendimit të tij, por komentuesit e konsiderojnë si një lëvizje e tij për ta rritur popullaritetin gjatë Ramazanit. Ramazani ka nisur më 22 mars dhe përfundon më 21 prill.

Nëse ora mbetet e pandryshuar, myslimanët do të mund ta ndalin agjërimin një orë më herët, rreth orës 18;00 në vend të orës 19:00 që është koha kur perëndon dielli.

Por, Kisha e Krishterë Maronite e Libanit tha se do ta shpërfillë vendimin, duke e quajtur të habitshëm.

Disa organizata të mëdha libaneze po ashtu kanë vendosur ta injorojnë vendimin e kryeministrit në detyrë. Dy kanale të lajmeve, LBCI dhe MTV, e çuan orën e tyre përpara herët të dielën.

Ndërkohë Middle East Airlines, transportues kombëtar në Liban, vendosi për një kompromis. Ka thënë se orët e saja dhe pajisjet e tjera do të qëndrojnë në kohën e dimrit, porse oraret e fluturimeve do të rregullohen që të shmanget ndonjë pengesë në oraret ndërkombëtare.