Kuriozitet

Udhëtimi në kohë i (pa) mundshëm

Vrimat e zeza, ndonëse ende teori e pakonfirmuar, do t’ia mundësojnë njeriut të udhëtojë në të kaluarën apo në të ardhmen. Por kjo s’përfundon këtu.

Mediumi “Astronomy” shkroi se njerëzimi aktualisht s’ka anije kozmike për të “fluturuar” pranë vrimave të zeza. Por, edhe të ekzistonte, afrimi pranë vrimave do të ishte i vështirë. Pse?

Fillimisht, çka janë vrimat e zeza?

Vrimat e zeza janë objekte jashtëzakonisht të medha që formohen në periudhën kur një yll masiv shpërthen. Ashtu si planetët dhe yjet, vrimat e zeza posedojnë fusha gravitacionale rreth tyre. Fusha gravitacionale është ajo që e mban të mbërthyer Tokën dhe ia mundëson asaj të rrotullohet rreth Diellit.

Si rregull, sa më të mëdha që janë vrimat e zeza, aq më të mëdha janë fushat e tyre gravitacionale.

Fushat gravitacionale të vrimave të zeza janë aq të forta sa mund ta përthithin edhe dritën, që njihet si më e shpejta në shkencë.

Kjo është arsyeja pse vrimat quhen “të zeza”, ngase as drita s’mund të “mbijetojë” brenda tyre.

Mediumi shkruan se po të mund t’i afrohemi fushës gravitacionale, njeriu me anije kozmike do të mund të kthehet në kohë, në rast se ia del të futet në brendësinë e vrimës. Por, nëse kthehemi në kohë, çka do të ndodhë?

Së pari, janë tri probleme.

E para, mund të ktheheni në të kaluarën, por kjo nuk do t’ua garantojë që do t’i shihni dinozaurët. Kjo sepse, nëse shkenca thotë se vrima e zezë është krijuar pasi kafshët masive janë zhdukur si specie, i bie se nuk do të mund t’i hasni ato.

E dyta, duhet udhëtuar më shpejt se drita në mënyrë që të arrihet horizonti kohor i ngjarjeve. Kjo është pak e mundshme sipas shkencës pasi arritja e shpejtësisë së dritës zor të jetë e mundur.

E treta dhe kryesorja, futja në brendi të vrimës së zezë do të shkaktojë procesin e “spagetifikimit” apo të ndarjes së trupit bashkë me anijen kozmike në grimca. Pra, edhe nëse trupi i njeriut ia del të futet me sukses në vrimën e zezë, do të ndahet në copë më të vogla se atomi.

Për udhëtimin në të ardhmen, “Astronomy” tha se i takon pjesës së fantazisë.

Përktheu: E.Bujupaj