Një shpërthim i etheve të verdha në Brazil në vitin 2016 rezultoi në më shumë se 2 mijë infeksione te njerëzit dhe rreth 750 vdekje.
Nga ethet ka ngordhur një e treta e popullsisë shumë të pambrojtur të majmunit tamarin të vendit.
Kështu, shkencëtarët në Brazil filluan të bëjnë plane për të përshtatur një vaksinë njerëzore kundër etheve të verdha për të mbrojtur primatët e rrezikuar.
Carlos R. Ruiz-Miranda, biolog në Universitetin Shtetëror të Rio de Janeiros Veriore, është ndër shkencëtarët që kanë punuar për më shumë se tri dekada për të mbrojtur majmunët e artë.
Ruiz-Miranda pranon se fushata e vaksinimit dukej se ishte një "ndërhyrje shumë, shumë e fortë", por ishte më mirë të ndërhyhej sesa të mos ndërhyhej.
Pas ngordhjes së parë të konfirmuar nga laboratori të një majmuni tamarin nga ethet e verdha në vitin 2018, regjistrimi i ekipit të studiueses Andréia Martins zbuloi se popullsia e tamarinëve të egër kishte rënë nga 3.700 në 2.500.
Brenda Rezervatit Biologjik Poço das Antas, një nga traktet më të mëdha të pyjeve të vazhdueshme që ata banojnë, numri i të ngordhurve ishte edhe më i thellë: Një popullsi prej rreth 400 tamarinësh ra në vetëm 32.
Kështu që ekipi vendosi që opsioni më i mirë ishte ai jokonvencional.
Një ekip nga fondacioni prestigjioz brazilian Oswaldo Cruz, i cili mbikëqyr diagnostikimin dhe prodhimin e vaksinave dhe shpesh krahasohet me Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, bashkoi forcat me Qendrën Primate të Rio de Janeiros për të filluar provat e dozave të ndryshme të vaksinave kundër etheve të verdha në rreth 60 majmunë.
Një vit më vonë, ata kontrolluan nivelin e antitrupave në gjakun e tyre - vaksina dukej se funksiononte, pa efekte anësore negative.
Pas një procesi të gjatë miratimi të vonuar më tej nga pandemia e koronavirusit, studiuesit dolën me një vaksinë të modifikuar të etheve të verdha që konsiderohej e sigurt dhe efektive te majmunët.
Kur ata ritestuan majmunët, 90% deri në 95% kanë treguar imunitet – të ngjashëm me efikasitetin e vaksinave njerëzore.
Përhapja e etheve duket se është ulur dhe popullata e monitoruar e majmunëve është stabilizuar në përgjithësi dhe madje është rritur pak brenda Rezervës Biologjike Poço das Antas.
Programi, i cili filloi në vitin 2021, ishte përpjekja e parë e tillë në Brazil – dhe një nga të parët në mbarë botën.
Një brez i ri shkencëtarësh dhe ambientalistësh po kërkon gjithnjë e më shumë qasje ndërhyrëse për të shpëtuar speciet dhe ekosistemet.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.