Kuriozitet

18-vjeçari zgjidhet kryetar i një qyteti në SHBA

Jaylen Smith - 18-vjecari zgjidhet kryetar i qytetit Earle

Një 18-vjeçar është zgjedhur kryetar i një qyteti të vogël në verilindje të shtetit amerikan të Arkansasit, raporton agjencia AP.

Mediumet amerikane kanë raportuar se Jaylen Smith ka fituar balotazhin duke u bërë kryetar i Earlet.

Smith ka përfunduar shkollën e mesme në Earle në maj.

Ai për “KATV” ka thënë se përfshirja në kryesinë e nxënësve e ka inspiruar për të kandiduar për kryetar.

“Njerëzit po bërtasin për ndryshim dhe unë dua të jem ai ndryshimi që e shtyn Earlen para”, ka thënë SMith.

Smith po ashtu ka pranuar se mosha e tij e ka bërë të vështirë për disa votues që ta marrin atë seriozisht.

“Por, gjithmonë i kam thënë njerëzve se duhet të fillosh dikur në jetë”, ka thënë Smith.

Cymone Poole thotë se ajo votoi për Smithin. Ajo tha se Smith e kishte impresionuar, ndonëse është i ri.

“E ka aftësinë. Mënyra se si ec, si flet dhe si vishet. E ka aftësinë të udhëheqë”, thotë Poole.

Sipas KATV, Smith do të betohet në ditën e Vitit të Ri, dhe do të shërbejë në mandat katërvjeçar.