Dekada e fundit në Britani për disa mund të karakterizohet nga Brexiti, pandemia, vdekja e Mbretëreshës Elizabeta II, recesioni, ngritja e rrjeteve sociale, e të tjera.
Për të tjerë, ishte dekada që shënoi rritje të adhuruesve të djallit, shkroi The Telegraph.
Në mbledhjen e të dhënave mbi fenë, në mes të gjeturave më befasuese të regjistrimit të popullsisë më 2021, ishte rritja e satanizmit.
Numri i personave në Angli dhe Uells që identifikohen si satanistë shënoi 167% rritje mes viteve 2011 dhe 2021.
Zyra e Statistikave Kombëtare gjeti se brenda asaj periudhe 10-vjeçare, numri i satanistëve u rrit nga 1,893 në 5,054.
Satanizmi është një besim, ose një praktikë kundër-kulturore, e përqendruar në figurën e Satanit, i njohur ndryshe me emrin djall. Në krishtërizëm dhe judaizëm, kjo figurë shihet si mishërim i të keqes absolute. Historikisht, satanizmi, që është i njohur edhe si adhurim i djallit, refuzon Zotin dhe Jezus Krishtin.
Arsyeja për rritjen e satanizmit mbetet e paqartë.
Vitin e kaluar Zyra e Statistikave publikoi të dhënat për emrat e foshnjave, ku zbuloi se emri Nigel ishte në prag të zhdukjes, me asnjë foshnje të lindur më 2020 me këtë emër që dikur ishte i popullarizuar. Megjithatë, në këtë vit, 15 foshnja u emëruan me emrin Lucifer – që në krishtërizëm është emër për djallin.
Më 2021, 15 foshnje të tjera u emëruan Lucifer.