Kur planifikohet një muaj mjalti, shumë çifte shkojnë në destinacione si Parisi ose Maldivet.
Por ndryshe nga të tjerët, një çift kroat i sapomartuar, Kristiani dhe Andrea Iliçiq, kanë zgjedhur një tren mallrash që transportonte vagon me minerale hekuri nëpër shkretëtirat e nxehta të Mauritanisë në Afrikën veriperëndimore, shkruan CNN-i.
Çifti ka bërë përvojën e pazakontë pas dasmës, pasi kishin vizituar një sërë destinacionesh në mbarë botën si influencues udhëtimesh. Kristiani ka shkuar në më shumë se 150 vende të botës.
“Ne vërtet pamë shumë”, tha Kristiani për CNN përmes emailit. “Këtë herë, duhej të ishte diçka krejtësisht ndryshe. Dhe e gjetëm në Mauritania”.
Kulmi i udhëtimit të tyre ishte një fotosesion i guximshëm në majë të trenit të ngarkuar me minerale hekuri teksa gjëmonte nëpër shkretëtirë.
Fotografitë u publikuan më vonë në Instagram duke grumbulluar më shumë se 40.000 pëlqime.
Në to, veshja e Andreas duket e njollosur me minerale hekuri të transportuara në vagonët hekurudhor të hapur.
“Gjithçka ishte plot me minerale”, tha Kristiani. “Rrobat, ajri, ushqimi, gjithçka. Ishte vërtet një mrekulli që mbajtëm fustanin e bardhë të nusërisë (kryesisht) të bardhë për fotografitë”.
Pavarësisht vështirësive të fotosesionit të tyre të muajit të mjaltit, Kristiani thotë se udhëtimi në Mauritani i tejkaloi pritjet si një destinacion turistik mikpritës dhe i nënvlerësuar.
“Ka vërtet shumë për të ofruar”, tha ai. “Në një fshat që vizituam, banorët vendas arritën të na surprizojnë me një ceremoni dasme në përputhje me ritualet e tyre lokale, tradicionale. Andrea dhe unë ishim të veshur me rrobat e tyre tradicionale të dasmës dhe ishte një eksperiencë dy-orëshe kërcimi, daulleje dhe këndimi. Nuk do ta harroj kurrë. Duket sikur Andrea dhe unë u martuam dy herë. Nuk ishte vërtet një muaj mjalti tipik, por ishte edhe udhëtimi i jetës sonë”, tha ai.
