Kuriozitet

Vila e Titos, një nga më të vjetrat në New York, u shit për 50 milionë dollarë

Descriptive Text

Një nga vilat më të vjetra të New Yorkut, e cila është blerë nga Jugosllavia në vitin 1946, është shitur për 50 milionë dollarë, ka konfirmuar për Klix agjenti i shitjeve, Tristan Harper, i cili ka lidhur këtë marrëveshje “marramendëse”.

Vila ka një histori simbolike pas saj dhe është ndërtuar në vitin 1905. Jugosllavia e bleu në vitin 1946 dhe në atë kohë përdorej nga presidenti Josip Broz Tito.

Vila është blerë nga një kompani me adresë në New York.

Agjenti që shiti pasurinë e paluajtshme, Tristan Harper, ka thënë se historia e lavdishme e kësaj pasurie, e cila dikur ishte në pronësi të mbesës së pasardhësve të Cornelius Vanderbilt, e më pas liderit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, do të vazhdojë.

"Pronari i ri sapo bleu një pjesë të rëndësishme të historisë së New Yorkut", u shpreh Tristan Harper.

Kjo vilë ka 32 dhoma, tetë banja dhe dy ashensorë dhe është projektuar nga të njëjtët njerëz që projektuan Grand Central Terminal në New York.

Është ndërtuar në vitin 1905 për 60 mijë dollarë nga Robert Livingston Beeckman.

Villa mbeti e paprekur nga viti 1905 deri në vitin 1946, kur u ble nga Republika e Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore për 300 mijë dollarë. Në vitin 1961, Tito priti liderët e Egjiptit, Ganës, Indisë dhe Indonezisë në vilën e përmendur në mes të historisë së formimit të Lëvizjes së të Paangazhuarve.

Rezidenca ka 20 mijë metra katrorë dhe dritare antiplumb. Dritaret janë vendosur në periudhën kur Tito ka qëndruar në vilë.

Në vilë ndodhet misioni i përhershëm i Serbisë në OKB, dhe shuma më e madhe nga shitja i takon atij vendi. Vendet e ish-Jugosllavisë, si trashëgimtarë të pronave të Jugosllavisë, kanë rreth 50 prona, të cilat janë në proces shitjeje.

Paratë nga shitja do të ndahen midis vendeve të krijuara pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Vendimi sipas të cilit do të shitet prona e paluajtshme që është përdorur për qëllime diplomatike është marrë nga shtetet e ish-Jugosllavisë në maj të vitit 2016. Më pas u vendos që ambasada dhe rezidenca në Tokio, ambasada dhe rezidenca në Bernë dhe ambasada në Bon të shiteshin.

{gallery}