Kuriozitet

Familja në Indi mbajti trupin e vdekur të një burri për 18 muaj duke menduar se është në komë

Kufoma e një burri 35-vjeçar në Indi është djegur 18 muaj pas vdekjes së tij, pasi anëtarët e familjes pretendohet se kishin mbajtur trupin e tij në shtëpi në Kanpur, duke besuar se ishte në komë, raporton “Indian Express”.

Burri, i identifikuar si Vimlesh, ka vdekur më 22 prill të vitit 2021, dhe është djegur të premten, është njoftuar.

Sipas zyrtarëve, Vimlesh ishte ndihmëskontabilist që punonte në departamentin tatimor në Ahmedabad, ndërsa gruaja e tij, fëmijët dhe anëtarët e tjerë të familjes jetonin në rajonin Kanpur.

Raportohet se familja kishte besuar se ai nuk ka vdekur dhe po kujdesej për të, ndonëse kishin marrë certifikatën e vdekjes një ditë pas vdekjes së tij shkaku “i pneumonisë bilaterale”.

Duke folur për “Indian Express”, zyrtari mjekësor në Kanpur, Alok Ranjan, ka thënë se i ndjeri vdiq më 22 prill të vitit 2021 gjatë valës së dytë të COVID-19.

“Ai kishte pneumoni bilaterale. U lëshua edhe një certifikatë e vdekjes ku u përmenden arsyet”, thotë Ranjan.

Trupi i Vimleshit u gjet të premten pasi departamenti i IT-së paraqiti një ankesë në administratën e qarkut të Kanpurit se ai mungon nga puna që nga prilli i vitit 2021.

Zyrtari, Vishak G udhëzoi zyrtarët shëndetësorë të merreshin me çështjen pas së cilës u zbulua se Vimleshi kishte vdekur në prill të vitit 2021. Një zyrtar tha se familjarët i kishin spërkatur “Ganga jal” në trup.

“Sa herë që zyra e tij pyeste familjen për vendndodhjen e tij, ata thoshin se Vimleshi ishte i sëmurë. Familja solli po ashtu bombola oksigjeni dhe u tha vendase se ai ishte në komë dhe po trajtohej në shtëpi. Ata ishin të bindur se ai ishte gjallë dhe do të përmirësohej”, ka thënë një zyrtar i lartë i policisë. “Pasi nuk është shkaktuar ndonjë krim, nuk do të merren masa të mëtutjeshme. Familja ende ishte e bindur se ai ishte gjallë edhe kur trupi i tij u mor të premten nga zyrtarët. Familjarët u deshën të bindeshin që duhet djegur trupi”.

Kur familja e Vimleshit ishte pyetur pse e kanë mbajtur trupin aq gjatë, ata pretenduan se duke e marrë trupin nga spitali lokal, iu duk se po merrte frymë dhe e mbajtën trupin.

“Nuk po japin më tepër detaje”, tha ai. “Çfarë ka përdorur familja e Vimleshit për ta mbajtur trupi që të mos dekompozohet është e paqartë”.