Kuriozitet

Në Izrael zbulohet një rezidencë luksoze 1.200-vjeçare

Arkeologët kanë zbuluar një rezidencë luksoze 1.200-vjeçare në shkretëtirën e Izraelit që ofron një pamje unike të jetës së banorëve të pasur të rajonit Negev, raportoi AP-ja të mërkurën.

Zbulimi në qytetin beduin të Rahatit daton në periudhën e hershme të islamit në shekullin VIII ose të IX, ka thënë Autoriteti i Antikave.

Shtëpia luksoze është ndërtuar rreth një oborri me disa dhoma brenda. Një seksion luksoz përmban një korridor mermeri me dysheme guri dhe dekorime në mure. Arkeologët gjetën po ashtu copa të enëve të dekoruara prej qelqi.

Nën oborr, arkeologët u befasuan kur zbuluan qemerët nëntokësorë të bëra prej guri, të cilat ata besojnë se përdoreshin për të ruajtur sendet në temperatura më të ftohta, larg diellit përvëlues të shkretëtirës. Qemerët duket se janë ndërtuar me kujdes dhe mjaft të forta për të lejuar njerëzit të lëvizin mes tyre nën tokë. Një hapje nga dhomat të çon gjithashtu në një cisternë ku banorët mund të kishin qasje në ujë të pijshëm të freskët.

Ekspertët thanë se pronarët e rezidencës jetonin një jetë luksoze.

“Statusi i tyre i lartë dhe pasuria i lejoi ata ta ndërtonin një rezidencë luksoze që shërbeu për banim dhe argëtim”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Antikave të Izraelit.

{gallery}