Kuriozitet

Shpëtohet qeni që kishte mbetur për më shumë se dy muaj në një shpellë në SHBA

Një ekip studiuesish shpellash që punonin për të bërë një hartë të një shpelle në Missouri të SHBA-së, përfunduan duke shpëtuar një qen që besohet se kishte humbur para rreth dy muajsh.

Rick Haley dhe Gerry Keene, të cilët udhëhoqën ekipin që punonin për hartën e shpellës “Berome Moore”, thanë se ata takuan qenin e humbur rreth 200 metra brenda kalimit kryesor të shpellës.

Ekipi përdori një qese dhe batanije për të mbrojtur qenin gjatë ngjitjes së vështirë nga shpella.

Haley tha në një postim në Facebook, se shpëtimi i qenit ishte një proces i vështirë për shkak të terrenit të vështirë.

Qeni, i cili ishte i kequshqyer, por i shëndetshëm, u identifikua si Abby, një qen që ishte zhdukur që nga 9 qershori, që do të thotë se ai mund të kishte qëndruar në shpellë për dy muaj. Haley tha se gjeti gjurmë putrash pranë një hyrjeje të shpellës, në një gropë 12 metra të thellë.

“Berome Moore” është shpella e dytë më e madhe në Missouri.