Kuriozitet

Ora që i përkiste Hitlerit shitet për mbi 1 milion euro

Një orë që thuhet se i përkiste liderit nazist Adolf Hitler është shitur për mbi 1. milion euro në një ankand në Shtetet e Bashkuara, shkruan BBC.

Ora Huber, e cila i është shitur një ofertuesi anonim, ka simbolin “swastika” dhe ka inicialet AH të gdhendura në të.

Udhëheqësit hebrenj e dënuan ankandin që u mbajt në Alexander Historical Auctions në Maryland.

Megjithatë, shtëpia e ankandeve - e cila ka shitur sende naziste në të kaluarën - u tha mediave gjermane se qëllimi i saj ishte ruajtja e historisë.

Adolf Hitleri udhëhoqi Gjermaninë naziste midis viteve 1933 dhe 1945, duke orkestruar vrasjen sistematike të rreth 11 milionë njerëzve - gjashtë milionë prej të cilëve u vranë sepse ishin hebrenj.

Katalogu i produkteve për orën thotë se mund t'i ishte dhënë si dhuratë ditëlindjeje liderit fashist në vitin 1933, vitin kur ai u bë kancelar i Gjermanisë.

Një vlerësim nga shtëpia e ankandit thotë se ora u mor si një suvenir kur rreth 30 ushtarë francezë sulmuan Berghofin, vendstrehimin malor të Hitlerit në maj 1945.

Më pas mendohet se ora është rishitur dhe ka kaluar nëpër disa breza deri më tani.

Dokumentet e ofruara nga shtëpia e ankandeve thonë se nuk mund të sigurojë prova se Hitleri në të vërtetë e mbante orën. Por një vlerësim nga një specialist i pavarur doli në përfundimin se "me të gjitha gjasat" i përkiste atij.

Pavarësisht se ora ka arritur mbi 1 milion dollarë, ajo nuk ka arritur në vlerësimin e shtëpisë së ankandit prej 2 deri në 4 milionë euro.