Kuriozitet

Britanikët “mbushin” fshatin me bizonë për ta ngadalësuar ngrohjen globale

Britanikët po tentojnë ta ngadalësojnë ngrohjen globale nëpërmjet bizonëve. Ata vendosën që disa bizonë t’i lëshojnë në fshatin e Kentit në Angli, në kuadër të një projekti 1.2 milionë funtesh, shkruan “DailyMail” të hënën.

Kafshët e mëdha, që peshojnë deri në një ton si bizoni, janë zhdukur nga trojet angleze. Nëpërmjet tyre, Anglia shpreson që pyjet e lashta të ringjallen e biodiversiteti “të shpërthejë”.

Një bizon mashkull e tri femra, një dem nga Gjermania e dy lopë nga Irlanda, do të vendosen së shpejti në këtë fshat, me qëllim që të shumohen e të krijohet një tufë.

Kafshët trupmëdha njihen si “inxhinierë të ekosistemit” për faktin se krijojnë pellgje me baltë, shtyjnë pemët dhe “shqetësojnë” tokën me qëllim që bimët të lulëzojnë.

Bizoni evropian, njëherësh gjitari më i madh tokësor i kontinentit, është zhdukur para shumë vjetësh nga Mbretëria e Bashkuar. Ai është më i madh se bizoni amerikan si dhe më agresiv.