Në një postim me një fjali të vetme, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka bërë 10 gabime kur e ka përshkruar takimin me ministren e Turizmit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhin.
Përderisa thuajse secilën fjalë e ka nisur me shkronjë të madhe, gabim “më i madh” i ministres Hajdari është shndërrimi i supit në supë.
“Supë me Supë si malet tona, me Ministren Mirela Kumbaro Furxhi, 13 Kryetarë të Bashkive e Komunave, me 16 Tour Operatorē, sot në Prishtinë e nesër në Valbonë”, ka shkruar ajo në Facebook të premten në mbrëmje.
“Sup me sup, si malet tona, me ministren Mirela Kumbaro-Furxhin, 13 kryetarë të bashkive e komunave dhe 16 tour operatorë, sot në Prishtinë e nesër në Valbonë”, do të dukej fjalia e saj pa gabime drejtshkrimore.
Supi është: 1. Pjesë e trupit të njeriut nga rrëza e qafës deri te cepi ku lidhet krahu me trungun; skaji i sipërm i shpatullave. Supi i djathtë (i majtë). Me supe të rëna. Mban mbi supe. Hodhi pushkën (lopatën, kazmën) në sup. I vjen deri në sup. E preku në sup. Sup-armë! usht. komandë për të hedhur armën të mbështetur drejt në anë të gjoksit, duke e mbajtur nën qytë vetëm me dorën e thyer. 2. Pjesë e një veshjeje nga jaka deri te vendi ku ngjitet mënga. Supet e palltos (e xhaketës, e këmishës, e trikos). Supe të varura. I vë pambuk te supet. Është grirë te supet.
Supa (supë) është: Gjellë e hollë me lëng mishi, peshku a perimesh dhe me oriz, me makarona etj., që zakonisht hahet në fillim të drekës a të darkës; sasia e kësaj gjelle sa nxë një pjatë. Supë e ngrohtë. Supë barishtesh. Supë pule (peshku). Supë me oriz. Supë me patate (me karota). Supë me vezë (me limon). Lugë supe. Porositën dy supa.
Për shndërrimin e supit në supë, Hajdari ka marrë edhe reagime në postim. Si masë ajo ndërhyri në shkrimin e vet, por sërish nuk ia doli. Në vend të “sup me sup” tani shkroi “krahë për krahë” e që do të duhej të ishte “krah për krah”.
