Kuriozitet

Burgosen tre personat që vodhën dorëshkrimet e Mao Ce Dun-it

Tre persona janë burgosur në Hong Kong për vjedhje të artit që thuhet se vlen miliona, duke përfshirë një dorëshkrim kaligrafie të shkruar nga ish-lideri komunist kinez, Mao Ce Dun.

Hajdutët nuk ishin në dijeni të vlerës së saj dhe ia shitën një koleksionisti amator për më pak se 25 dollarë, raporton BBC të shtunën.

As vetë blerësi nuk e dinte vlerën e kaligrafisë dhe e preu atë përgjysmë që të mund të ruhej më lehtë.

Të pandehurit u burgosën secili deri në dy vjet e gjysmë.

Dorëshkrimi i bërë me dorë përmban detaje të një takimi të Partisë Komuniste Kineze dhe disa strofa të poezisë së Maos. Pronari i saj ka pohuar se vlera e tij mund të jetë rreth 300 milionë dollarë.

Dorëshkrimi u vodh gjatë një grabitjeje masive në shtator të vitit 2020, kur tre burra hynë në shtëpinë e Fu Chunxiao, një koleksionist i njohur i pullave dhe artit revolucionar.

Ho Yik-chiu, 46 vjeç, Ng Wing-lun, 45 vjeç dhe Hui Ping-kei, 48 vjeç, të gjithë u deklaruan fajtorë, sipas The South China Morning Post.

Gjykata dëgjoi se si tre burrat ishin hajdutë të sprovuar, të cilët kishin shënjestruar qëllimisht banesën e Fu, ndërsa ai ishte jashtë shtetit.

Në vitin 2019, një letër kaligrafike autografike e shkruar nga Mao Ce Duni u shit në ankand nga Sotheby's për mbi 500,000 dollarë.