Kuriozitet

Skeleti që u përdor në shkollën gjermane me qëllim edukimi varroset pas 70 vjetësh

Nxënësit e një shkolle të mesme në qytetin perëndimor të Gjermanisë, Schleiden, të mërkurën varrosën një anëtar të komunitetit të tyre – një skelet klase që shërbeu për edukimin e nxënësve për breza të tërë, raportoi AP-ja.

Rreth 80 nxënës, mësimdhënës dhe zyrtarë të qytetit morën pjesë në ceremoninë e varrimit, ku eshtrat e një gruaje të panjohur u varrosën në një arkivol të vogël me simbolet e të gjitha feve më të mëdha në botë.

“Vërtetë po e lëmë në paqe të pushojë një anëtar të komunitetit të shkollës”, tha prifti Oliver Joswig.

Skeleti i quajtur Ahn Bian, që në gjuhën vietnameze nënkupton “paqe misterioze”, ka qenë në departamentin e biologjisë të shkollës që nga viti 1952.

Nxënësit për vite kishin kërkuar që mbetjet e gruas të varroseshin, por planet për këtë u shtynë për shkak të pandemisë.

Shkolla shpreson që të mësojë më shumë për origjinën e skeletit, pasi rezultatet nga ADN-ja të dalin.

Mësimet e biologjisë tani kryhen duke përdorur një model plastik.