Kuriozitet

Delet e zeza s’lihen më jashtë kopesë, rritet kërkesa për lesh me ngjyrë natyrale

Shumica e prodhuesve të leshit e kalojnë jetën e tyre duke u përpjekur t'i mbajnë delet e zeza jashtë kopesë së tyre. Por tri gra australiane vendosën ta kundërshtonin këtë prirje dhe po mbarështojnë qëllimisht të gjitha delet e zeza. Leshi i zi ose me ngjyrë nuk ka nevojë të lyhet dhe me kërkesën në rritje për produkte tërësisht natyrale, ai po depërton në treg shumë shpejt

Thonë se e zeza nuk del kurrë nga moda - por delet e zeza deri tani janë lënë jashtë industrisë shumëmiliardëshe të leshit në Australi.

Por kjo është gati të ndryshojë.

Delet e zeza, që kanë qenë të dëbuarat e dikurshme të tufës, papritmas janë pronë e rëndësishme, falë interesit në rritje për produktet natyrore në vend dhe jashtë tij.

Fermerët Sophie dhe Tom Holt kanë rreth 30 mijë dele në juglindje të Australisë. Sophie ka filluar krijimin e një tufe të veçantë me dele të zeza dhe thotë se kërkesa për lesh të zi është shumë e madhe.

“Kërkesa është shumë më e madhe se oferta për momentin, ka qenë e pabesueshme përgjigjja, veçanërisht nga Amerika e Veriut”, ka thënë Sophie.

Ajo me dy mike të saj gjithashtu drejtojnë një biznes me pakicë, për shitje të leshit.

Maggie Lahore punoi si blegtore, përpara se të kthehej në shtëpi nga Argjentina, dhe Kimmy Falls drejton një kompani lokale të kamionëve.

Sophie thotë se në fillim u thanë se nuk do të mund të bëhej.

“Tri nëna që punonin, tri shoqe të mira që kishin idenë të përpunonin leshin me ngjyrë dhe të bardhë brenda vendit. Reagimi nuk ishte i mirë nga shumë mullinj për përpunimin e leshit", ka vazhduar ajo.

Por pasi batanijet e tyre prej leshi të zi u shitën për 500 dollarë australianë ose 364 dollarë amerikanë, tani ato janë të bindura se ka një treg.

“Delet me ngjyrë po krijojnë një reputacion për cilësinë e leshit të tyre, i cili ka qenë një fokus vërtet i madh në programet tona të mbarështimit dhe konsumatorët me siguri janë duke kërkuar për një varg qethjesh me ngjyra natyrale”, ka deklaruar Melissa Henry nga shoqata e mbarështuesve të deleve në Australi.

Kur vjen koha e qethjes, delet me ngjyrë duhet të qethen veçmas, në mënyrë që fijet e errëta të mos futen në leshin e bardhë. I tërë holli duhet të pastrohet tërësisht, për të shmangur çdo kryqëzim.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të mos kontaminojmë tufën tonë të leshit të bardhë, jo se ka ndonjë gjë të gabuar me leshin e zi, por është një treg tjetër dhe ne duhet t'i mbajmë ato të ndara”, është shprehur fermeri Marty Moses.

Tani duket se delja e zezë nuk është më ajo e çuditshmja. Delja e zezë nuk po shihet më me kuptim figurativ si përjashtuese e një standardi të etabluar në masë.

Delja e zezë tash është bërë e kërkuar.