Kuriozitet

Çifti italian mendon se u kishin hyrë hajnat, gjen ari në ballkonin e shtëpisë

Një çift në Italinë qendrore po mendonte se u kishin hyrë hajnat në shtëpi, mirëpo kanë përfunduar duke gjetur një ari marsikan në ballkon.

Annalisa Castagna dhe bashkëshorti i saj, Claudio Paravano ishin alarmuar nga një zhurmë jashtë pronës së tyre, dhe kishin dalë jashtë për të shikuar se çfarë po ndodhte. Mirëpo ata në vend se të gjenin hajdutë, për çka edhe u kishte shkuar menjëherë mendja, janë gjetur përballë një ariu.

“Ishim përballë ariut, kishim më pak se një metër distancë”, ka shkruar Castagna në Facebook.

“Munda t’i numërojë të gjithë dhëmbët që kishte e po ashtu ta shihja edhe gjuhën e tij të kuqe”, ka vazhduar ajo.

Castagna ka thënë po ashtu se “kishte bërtitur me të madhe” dhe se kafsha kishte provuar që ta arrinte me putrat e saj.

Ndonëse ajo kishte arritur të ikte, bashkëshorti i saj kishte pësuar thyerje në legen, për çka edhe kishte marrë trajtim mjekësor për disa muaj, pasi ishte detyruar që të kërcente nga një lartësi rreth 3 metra për të ikur po ashtu.

Ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e çiftit në fshatin Pescosolido, që ka më pak se 1,500 banorë, dhe që ndodhet shumë pranë Parkut Kombëtar të Abruzzos.