Është vetëm 14-vjeçare. Por Leia Zhu tashmë njihet si talente e rrallë që ka shpalosur shkathtësitë e saj në lojën me violinë në rreth 20 shtete.
Këtë fundjavë ajo do të ngjitet në skenë bashkë me muzikantët e “London Mozart” për të performuar veprën “Concerto in D Major” të Tchaikovskyt.
Përveç talentit të jashtëzakonshëm, Zhu e shijon edhe jetën si adoleshente.
“Nëse luan vetëm veprat që teknikisht janë sfiduese, është si të jesh murator. Por nëse luan pjesë që janë shumë të thella emocionalisht, duhet të jesh arkitekt për ta pasur pamjen e tërë strukturës së ndërtesës. Po udhëtoj nëpër botë dhe më pas kthehem në shkollë, si çdo vajzë tjetër. Kaloj shumë kohë me shokët dhe kur jam larg shkruajmë mesazhe”, ka thënë ajo.
Zhu sapo është bërë artistja më e re që është përfshirë në orkestrën “London Mozart Players”.
Është orkestra koncertale më e vjetër në Mbretërinë e Bashkuar dhe njihet për zhvillimin e talenteve të reja të jashtëzakonshme. Megjithëkëtë, shijet muzikore të Zhusë shtrihen përtej klasikes.
“Dëgjoj shumë muzikë, të gjitha llojet e muzikës. E dëgjoj shumë zhanrin pop dhe nganjëherë më pëlqen të luaj jazz apo thjesht të improvizoj”, ka shtuar ajo.
Rrugëtimi i saj muzikor ia ka dhënë edhe një mësim të thjeshtë jetësor.
“Besoj se nëse do diçka, duhet ta bësh. Thjesht duaje atë që e bën dhe bëje atë që e do”, ka thënë ajo.
Ky është parim mjaft i mirë për t’u zbatuar në jetë.