Kuriozitet

Fituesi i lotarisë prej 45,000 dollarësh gjendet i vdekur bashkë me tiketën fituese në portofol

Një burrë në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka vdekur me një tiketë lotarie në vlerë prej 45,000 dollarë në portofolin e tij, kanë bërë të ditur zyrtarë policorë.

Autoritetet besojnë se viktima i identifikuar si Greg Jarvis, ka vdekur si pasojë e një aksidenti në varkën e tij. Trupi i tij është gjetur në një plazh javën e kaluar.

Jarvis, 57-vjeçar, ishte në Caseville më 13 shtator, kur kishte fituar 45,000 dollarë pasi kishte luajtur në Club Keno, që është një lojë lotarie në Michigan.

Për herë të fundit ai ishte parë më 19 shtator duke blerë pije për miqtë e tij, mirëpo as atëherë nuk i kishte pranuar ende paratë.

Ndërkohë, më 24 shtator, ishte gjetur trupi i tij, pranë varkës që besohet se i takonte atij, derisa u bë e ditur se edhe autopsia i është kryer.

"Ne mendojmë se ai ishte duke lidhur varkën e tij, kur rrëshqiti dhe ra, goditi kokën dhe përfundoi në ujë. Nuk dyshohet për vrasje”, kanë thënë zyrtarë policorë.

Tiketa fituese i është dhënë familjes së Jarvisit.