Kuriozitet

U largua si refugjat nga Siria 6 vjet më parë, tani drejton një restorant në qendër të Londrës

Në Damask, shefi i kuzhinës Imad Alarnab thotë se drejtonte tri restorante të famshme, bashkë me disa bare dhe kafiteri. Gjatë luftës civile siriane, bizneset e tij u shkatërruan dhe ai u detyrua të largohet nga vendi.

Alarnab arriti në Mbretërinë e Bashkuar më 2015 dhe u përkushtua të gjente një punë për ta mbajtur familjen dhe për t’i bërë një strehë.

Për një kohë, pasioni i Alarnabit për ushqimin mbeti vetëm brenda kuzhinës së tij, por më 2017 ai në bashkëpunim me projekte bamirësie hapi restorante dhe bare.

Baret e Alarnabit u bënë të famshme dhe tërhoqën turma njerëzish. Megjithatë, ai ëndërronte të hapte një restorant në mes të Londrës, shkruan CNN.

Në maj 2021, Imad’s Syrian Kitchen hapi dyert – një restorant i ngrohtë në qendër të Londrës që servon pjatat më të mira të Alarnabit.