Reprezentuesi i Gambisë, Ebrima Darboe, është kthyer në shtëpi pas pesë vjetësh dhe video teksa përqafohet me nënën është bërë virale në rrjetet sociale.
Darboe i lindur më 2001 në Gambi, iku nga vendlindja si 14-vjeçar në kërkim të një jete më të mirë, duke lënë nënën, dy motrat dhe vëllain. Babai i kishte vdekur më herët.
Kaloi kohë të vështirë në një kamp në Libi, ku përjetoi keqtrajtim e trauma, para se të arrinte të kapte një anije me plot migrantë dhe të mbërrinte në brigjet e Sicilisë.
Në Itali u dërgua në një qendër për kujdes të fëmijëve, e më vonë e mori nën kujdes një familje në Romë, ku edhe nisi të luajë futboll. Gjatë një ndeshej lokale, ai ra në sy të një agjenti të Romës dhe më 2019 u bë pjesë e kësaj skuadre të madhe.
Fillimisht filloi me ekipin e juniorëve, por meqë nuk e kishte dokumentacioni e rregulluar, u desh të presë për një kohë për paraqitje zyrtare në fushë. Por më pas gjithçka shkoi shpejt në karrierën e tij. Më 5 maj të vitit të shkuar debutoi me ekipin e parë, derisa deri në fund të atij sezoni regjistroi edhe katër paraqitje të tjera në Serie A.
Aktualisht, në vit fiton 50.000 euro, e pjesën më të madhe të kësaj shume e dërgon për të mbajtur familjen. E atë më në fund edhe e ka vizituar.
“Pas pesë vjetësh, kthimi në shtëpi dhe përqafimi i nënës është gjëja më e mirë që ka mundur të më ndodh. Faleminderit të gjithëve për lutjet për mua”, ka shkruar Darboe në Instagram, teksa ka hedhur edhe videon me nënën. Këtë video e ka shpërndarë edhe klubi Roma në Twitter.
Pritet që lojtari i ri së shpejti të firmos kontratë të re me Romën, me vlerë shumë më të madhe, që do të mjaftonte për të dhe familjen e vuajtur në Gambi.
"The most beautiful moment I could experience."
— AS Roma English (@ASRomaEN) June 16, 2021
Five years after leaving to pursue his dream, Ebrima Darboe is reunited with his mother. ❤️
In that time he made the journey (alone) to Italy, caught the eye with his football talent, and this year made his debut for #ASRoma. pic.twitter.com/mSj3iDu2sa