Një burrë 76-vjeçar që besohet të jetë kreu i familjes më të madhe në botë ka vdekur në shtetin Mizoram të Indisë, njoftoi BBC.
Ziona Chana, kreu i një sekti fetar që praktikonte poligaminë, vdiq të dielën, duke lënë pas 38 gra, 89 fëmijë dhe 36 nipër e mbesa.
Lajmi u konfirmua nga kryeministri i Mizoram, Zoramthanga, i cili ofroi ngushëllimet e tij në Twitter.
Chana thuhet se vuante nga diabeti dhe hipertensioni.
Mjekët i thanë agjencisë së lajmeve PTI se gjendja e Chana u përkeqësua në shtëpi në fshatin e tij, Baktawng Tlangnuam. Ai u dërgua me urgjencë në spital të dielën në mbrëmje, ku u shpall i vdekur kur mbërriti.
Është e vështirë të thuash nëse Chana ishte me të vërtetë kryefamiljari i familjes më të madhe në botë pasi ka të tjerë që pretendojnë këtë rekord.
Është gjithashtu e vështirë të vlerësosh madhësinë e saktë të familjes së Chana. Të paktën një raport pretendon se ai kishte 39 gra, 94 fëmijë, 33 nipër e mbesa dhe një stërnip, që shkon deri në 181 persona.
Ndërsa raporte të ndryshme lokale të lajmeve iu kanë referuar atij si mbajtës të "rekordit botëror" për një familje kaq të madhe. Është raportuar gjerësisht gjithashtu se familja është paraqitur dy herë në shfaqjen e famshme televizive Ripley's Believe it or Not.
Por rekord botëror apo jo, Chana dhe familja e tij janë një sensacion, duke tërhequr turistë në fshatin e tyre në veri-lindje të Indisë.