Për shumicën prej njerëzve, pandemia ka nënkuptuar vetminë e detyruar, por dikujt, kjo pandemi i ka dhënë mundësinë që ta kërkojë atë vetmi.
Gruaja italiane Valentina Miozzo ka shkuar një hap përpara. Për shkak të pandemisë, ajo është zhvendosur në veri të Norvegjisë, saktësisht në rrethin Arktik.
“Dhjetori dhe janari ishin dy muaj që kishte vetëm errësirë”, ka thënë ajo derisa përshkruante netët që ka kaluar në vetmi në këtë pjesë të botës.

Miozzo, nga rajoni verior italian i Emilia Romagna, ka thënë se jeta i është përmbysur si pasojë e pandemisë me koronavirus.
Ajo ka rrëfyer se si e gjithë jeta e saj, derisa ka nisur pandemia, ishte një udhëtim, pasi ajo kalonte afro gjashtë muaj në vit larg shtëpisë së saj, derisa edhe puna e saj ka të bëjë me udhëzimet e njerëzve për udhëtime jashtë vendit. Mirëpo për shkak të gjendjes së rëndë me pandeminë në Itali, ajo ishte detyruar të mbyllej dhe të punonte online.
Mirëpo, pasi Italia kishte kaluar një nga bllokimet më të ashpra në botë dhe u shfaq në verën e vitit 2020 me virusin nën kontroll, ajo kishte filluar sërish të ndjente nevojën për të nisur udhëtimet, shkruan CNN.
Kështu ajo kishte marrë një ofertë për të vizituar Arktikun dhe kishte vendosur që meqë nuk mund të lëvizte më në shumë vende, të niste të jetonte një realitet të ri.
Miozzo kishte udhëtuar afro 4,000 kilometra për të arritur në Kongsfjord, një vend ky i ftohtë që numëronte vetëm 28 banorë. Sipas saj, supermarketi më i afërt në këtë vend ishte 40 kilometra larg ndërkaq, spitali më i afërt ishte mbi 300 kilometra larg.
