Kuriozitet

Thyhet aksidentalisht veza njëmijëvjeçare e gjetur nga arkeologët izraelitë

Veza, një zbulim i pazakontë nga periudha islamike, kishte qenë gjatë gjithë këtyre viteve në një tualet. Të paktën, të brendshmet e saj mund të kontribuojnë për studimin e ADN-së në pulat e moçme

Një ditë para mijëra vjetësh, një pulë në Yavneh bëri një vezë. Por ajo nuk do të çelte asnjëherë, për fatin e keq të trashëgimisë së kësaj pule. Për kushedi çfarë arsye, ajo do të përfundonte në një gropë në zonën industriale të një qyteti të vjetër.

Aty do të mbetej derisa arkeologë nga Autoriteti izraelit i Antikiteteve (IAA) do të vinin me një mision për të kryer gërmime në zonën industriale të qytetit, në prag të ndërtimit, dhe do ta gjenin papritur këtë vezë. Ata ia dolën ta merrnin atë nga ajo gropë, pa e cenuar aspak.

“U mahnitëm kur e gjetëm atë”, ka thënë arkeologia Alla Nagorsky, udhëheqëse e ekipit hulumtues. “Kohë pas kohe ne kemi gjetur copëza gëzhojash të vezëve, por një vezë e plotë është e pazakontë”.

Veza ashiqare ishte ruajtur gjatë gjithë këtyre viteve – pa u thyer apo tretur – për shkak se kishte rënë në një tualet, e mbyllur brenda mbetjeve, që kanë krijuar kushte anerobike.

Dhe pastaj ajo u thye brenda laboratorit; një përplasje e vogël kah fundi e ka thyer atë. Megjithatë, e verdha e vezës ka mbetur në bërthamë dhe ajo do të shërbejë për analiza të mëtejshme të ADN-së, ka thënë Lee Perry Gal nga IAA. Dhe mbase është dashur të thyhej ashtu që të studiohej së brendshmi, ka shtuar Nagorsky.

Në IAA kanë thënë se konservuesi Ilan Naor e ka restauruar gëzhojën e vezës që është ruajtur për mijëra vjet në Yavneh.

E si e dinë ata që pula jetonte gjatë periudhës islamike? Për shkak edhe të gjetjeve të tjera në po të njëjtën gropë, e cila nuk ishte edhe aq e madhe: 1.2 metra lartësi dhe 80 centimetra gjerësi. Gjetjet e tjera përfshijnë tri kukulla të bëra nga eshtrat, tipike për krejt periudhën abazide nga shekulli i shtatë deri në fund të shekullit të 11-të, si dhe një llambë vaji.

Kjo llambë është e atij lloji që është bërë vetëm në fund të asaj periudhe, ka shpjeguar Nagorsky, rreth 1 mijë vjet më parë. Dhe, në këtë mënyrë, ata e kanë datuar vezën e pulës si të asaj kohe.

Hapësira e Nagorskyt është pjesë e një hulumtimi në shkallë të gjerë të drejtuar nga Elie Haddad, Liat Nadav-Ziv si dhe Jon Seligman, të cilët kanë zbuluar zonën e vjetër industriale të Yavnehit në periudhën bizantine.

“Fragmente gëzhojash të vezëve janë të njohura nga periudha të mëhershme – fjala vjen, në qytetin e Davidit apo në Cezare dhe Apolloni. Por për shkak të brishtësisë së gëzhojave të vezëve, zor që të jetë ruajtur një vezë e plotë pule. Edhe në rrafsh global, kjo është një gjetje skajshmërisht e rrallë”, kanë thënë nga IAA. \ Haaretz.com

Përktheu: Salih Mehmeti