Si pjesë e një studimi është konstatuar se qentë janë trajnuar për ta dalluar erën e veçantë që prodhohet nga njerëzit që janë të infektuar me virus, por që nuk mund të nuhatet nga njerëzit. Kjo mund të jetë e dobishme në aeroporte ose në ngjarje të mëdha, ka raportuar agjencia BBC
Qentë mund të kontribuojnë në përpjekjet për ta parandaluar shpërndarjen e COVID-19 derisa masat kundër sëmundjes janë duke u liruar nëpër botë, kanë theksuar të hënën shkencëtarët.
Si pjesë e një studimi është konstatuar se qentë janë trajnuar për ta dalluar erën e veçantë që prodhohet nga njerëzit që janë të infektuar me virus, por që nuk mund të nuhatet nga njerëzit. Kjo mund të jetë e dobishme në aeroporte ose në ngjarje të mëdha, ka raportuar agjencia BBC.
Por zbulimet e qenve duhet të konfirmohen nga testimet laboratorike, kanë thënë studiuesit. Megjithëse qentë kanë zbuluar saktë 88 për qind të rasteve me koronavirus, ata megjithëkëtë kishin gabuar në 14 për qind të rasteve të infektimit, ka treguar studimi.
Qentë e kanë aftësinë e të nuhaturit 100.000 herë më të shkathët sesa njerëzit dhe ata janë përdorur tash e sa kohë për t’i zbuluar narkotikët dhe eksplozivët.
Studimet e fundit kanë treguar se qentë – posaçërisht të racës si Spainel dhe Retriever – mund të zbulojnë aroma unike të sëmundjeve, përfshirë kancerin, Parkinsonin dhe malarien.
Si pjesë e studimit të ekzaminimit me qentë, gjashtë syresh janë trajnuar për ta dalluar erën e liruar nga personat e sëmurë me COVID-19 që kanë veshur çorape, bartin maska dhe kanë veshur bluza të materialeve të ndryshme.
Ata janë shpërblyer kur kanë qenë të saktë, qoftë kur mostra ishte nga një person që ishte testuar pozitiv apo negativ.
Disa njerëz në grupin negativ kishin viruse normale të ftohjes, për t’u siguruar se qentë ishin në gjendje ta dallonin koronavirusin nga infeksionet e tjera respiratore. Këta qen, sipas BBC-së, kanë qenë në gjendje që ta dallonin sëmundjen edhe kur ishte shkaktuar nga variantet e ndryshme të virusit dhe kur personi nuk kishte simptoma ose kishte nivel shumë të ulët të virusit.
Mjekia Claire Guest, zyrtare kryesore shkencore në organizatën bamirëse “Medical Detection Dogs”, e cila ka trajnuar kafshë, ka thënë se rezultatet ishin “dëshmi e radhës se qentë janë një nga biosenzorët më të besueshëm për ta zbuluar erën e sëmundjeve të njerëzve”.
Qentë kanë zbuluar përafërsisht 88 për qind të rasteve pozitive – që do të thotë se në çdo 100 raste kanë dështuar të dallojnë vetëm 12 njerëz të infektuar. Por nga 100 njerëzit që nuk e kanë pasur virusin, qentë kishin sugjeruar gabimisht – nëpërmjet testit të nuhatjes – se 14 prej tyre ishin të infektuar.
Kështu që, nëse një person në një aeroplan me 300 udhëtarë e ka koronavirusin, qentë me gjasë do ta identifikojnë me sukses atë person, por mund të sugjerojnë gabimisht se edhe 42 njerëz që nuk e kanë virusin, janë të infektuar.
Kjo do të thotë se një pjesë e infektimeve do të ikin pa u vërejtur dhe shumë më tepër do të thuhet se e kanë virusin, kur në të vërtetë nuk e kanë. Kësisoj mund të duhen më shumë teste, porse kjo metodë me qen tregon gabimisht se më shumë njerëz e kanë virusin sesa tipi i metodës me marrje të mostrës në hundë. Kështu që studiuesit nuk rekomandojnë që vetëm qentë të përdoren për t’i nuhatur rastet pozitive.
Mirëpo besojnë se qentë mund të jenë mjet shtesë për ekzaminim, së bashku me testet e tjera të zakonshme. Ata kanë thënë për BBC-në se ekzaminimi me qen, bashkë me testin PCR do të zbulojnë 91 për qind të infektimeve.
Përparësia e vërtetë potenciale është shpejtësia: madje edhe testet më të shpejta marrin 15 minuta kohë për të nxjerrë rezultatin, kurse qentë mund ta nuhatin sëmundjen brenda vetëm pak sekondash.
Dy qen mund të ekzaminojnë 300 njerëz për gjysmë ore, kanë thënë studiuesit.
“Kjo mund ta bëjë testimin me nuhatje metodën më të besueshme për ekzaminim të gjerë”, ka argumentuar profesori James Logan, nga Shkolla për Higjienë dhe Mjekësi Tropikale në Londër, që e ka kryer këtë studim së bashku me Universitetin e Durhamit.
Në teori, njerëzit mund të ekzaminohen derisa presin në radhë për fluturim apo për të hyrë në një ngjarje dhe të gjithë që vërehen nga qentë do të duhet ta bëjnë një test PCR – testi më i saktë që do të përpunohet në laborator.
Kjo mënyrë mund ta ulë numrin e njerëzve që duhet të vetizolohen në hotel. Qentë mund të përdoren edhe në hapësira, ku nuk bëhen aq shumë ekzaminime aktualisht, si stacionet e ngarkuara të trenave, për ta parandaluar shpërndarjen e madhe.
Studimi është ende në fazën fillestare, kështu që ka nevojë që të rishikohet nga shkencëtarët e tjerë para se të publikohet.