Kuriozitet

Myshterinjtë manekinë nga Kosova marrin vëmendjen e “Associated Press”

Protesta e pazakontë e një pronari të restorantit në Prishtinë ka marrë vëmendjen e agjencisë së lajmeve “Associated Press”.

Të enjten, Petrit Kllokoqi, pronar i restorantit “Bagolina” në vend të myshterinjve, karriget i ka mbushur me manekinë, si shenjë proteste për mbylljen e gastronomisë.

Qeveria e Kosovës për 12 ditë, nga 7 prilli deri më 18 prill, ka vendosur për mbylljen e bizneseve, për të parandaluar përhapjen e madhe të infektimeve me koronavirus.

Kllokoqi, kryetar i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, ka mbajtur protestën në heshtje në emër të gastronomisë.

Restorantet dhe kafenetë janë lejuar që të ofrojnë vetëm shërbimin “merre me vete”.

Nën masat e reja ka nisur edhe ora policore nga ora 22 deri në 5 të mëngjesit.

Sipas qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare, Kosova ka pësuar rënie për 4.4 për qind të GDP-së shkaku i pandemisë.

Restorantet dhe kafenetë kanë pësuar më së shumti nga masat siç është ora policore.

Associated Press vlerëson se përkrahja e qeverisë së Kosovës nuk ka qenë e mjaftueshme për të mbajtur gjallë 4 mijë restorante që kanë 14 mijë të punësuar.

Shoqata e Gastronomëve ka paralajmëruar se më 18 prill do të rihapin restorantet dhe kafenetë.

Deri tash në Kosovë si pasojë e koronavirusit kanë vdekur 1 mijë e 960 persona, ndërkaq janë regjistruar 96 mijë raste.

Kosova në tre javët e fundit ka raportuar për ngritje të madhe të rasteve me koronavirus.