Një belge është infektuar me variantin britanik të koronavirusit gjatë pushimeve në Zvicër, ku kishte shkuar në një resort skijimi. Me t’u kthyer në vendlindje, ajo nuk respektoi rregullat e karantinës.
Për këtë arsye tash janë mbyllur dy shkolla dhe afro 5000 persona janë në karantinë, shkruan “Aargauer Zeitung”.
Nuk është bërë e qartë se në cilin vend në Zvicër ishte gruaja. Por me t’u kthyer në Belgjikë ajo duhej të izolohej. Por, ajo menjëherë e mori vajzën e saj në shtëpi, të cilën e kishte lënë te babai i saj sa ishte në pushime.
Dy ditë më vonë turistja në fjalë rezultoi pozitive me koronavirus. Vajza e saj më pas infektoi një shoqe të klases, e cila më pas e infektoi nënën e vet. Nëna e shoqes së vajzes është mësuese në një shkollë tjetër dhe e përhapi virusin atje.
U konstatua se, turistja kishte sjellë në Belgjikë pikërisht mutacionin britanik të koronavirusit. Një variant i koronavirusit, që përhapet dukshëm më shpejt.
Për këtë arsye dy shkolla në afërsi të qytetit Antwerpen janë mbyllur dhe gjithë nxënësit, mësuesit dhe familjet e tyre janë në karantinë. Në total mendohet se janë në karantinë rreth 5000 persona.
Në qarkun Kontich janë testuar 1450 nxënës dhe 250 mësimdhënës. Në atë Erdegem po ashtu do të bëhet një testim masiv. Pritet të bëhet edhe nga një test këtë javë, dhe ata që rezultojnë negativë mund t’i japin fund karantinës.
Kryebashkiaku i Edegemit, Koen Metsu, ka kritikuar turisten.
“Është për të ardhur keq. Po t’i përmbaheshin rregullave të gjithë, atëherë nuk do të vinim në këtë situatë”, ka deklaruar Metsu për “Het Laatse Nieuws”.