Dhjetori është muaji që më së shpeshti bënë bashkë anëtarët e familjes Ahmetaj pranë televizionit.
Është filmi “Home Alone”, pa të cilin nuk nisin ditët festive.
Agoni, i cili tani është 32-vjeçar e ka traditë festive prej kur ka qenë i vogël shikimin e këtij filmi. Anëtari maniak i filmave thotë se kurrë nuk është mjaftueshëm.
“Filmat për festat e fundvitit mundesh t’i shikosh edhe me familje çfarëdo lloj zhanri të jetë, në shumicën e rasteve 4 filmat e ‘Home Alone’ i shikojmë dhe nuk kalon viti i ri pa e parë”, thotë ai.
Ai thotë se secilën pjesë të filmit e shijon si për herë të parë.
“Filmi ‘Home Alone’ ndoshta është filmi i parë që e kam parë në fundvit dhe nga mundësia atëherë çfarëdo filmi që na është ofruar e kemi shikuar dhe mirë që na është ofruar ky film, sepse me të vërtetë ia vlen”, thotë Ahmetaj.
Agoni ende mban mend kur në moshë të vogël kishte hasur në këtë film. Ai mban mend çdo sekuencë të tij.
“Ndoshta ka qenë viti 1995 kur e kam parë për herë të parë dhe tani që 10 vjet të fundit e shikojmë çdo vit e kemi bërë traditë që gjithsesi ta shikojmë. Ndërsa skenat i di të gjitha, secila skenë që vjen e di se çfarë do të jetë. Në të ardhmen me familjen time gjithsesi kemi për ta shikuar për çdo vit”, shton ai.
Shoqëri Agonit para televizionit për filmin “Home alone” i bën edhe mbesa , Rona, e cila thotë se sherret e Kevinit, personazhit kryesor, mund ta kenë përgatitur edhe atë se si të reagojë në rast se do të mbetej e vetme në shtëpi.
“Mua më pëlqen Kevini, nëse mbes vetë unë do të veproj si ai, do ta mbroj shtëpinë time dhe veten”, tregon ajo.
Duke qenë një familje e tërë mbas filmave, e pandarë është edhe kryefamiljarja, Saliha.
Ajo tregon se dëshira për të parë filma iu imponua nga djali, Agoni.
“Vazhdimisht i shikojmë filmat për festat e fundvitit, këtë e kemi të imponuar nga Agoni, sepse qysh si fëmijë ka qenë i dhënë mbas tyre”, thotë ajo.
Ish-gjykatësja e Prishtinës thotë se “I vetëm në shtëpi” ka rol të rëndësishëm në ditët festive secilin dhjetor.
“Kevinin e shikojmë gjithsesi, asnjëherë nuk është i tepërt, sepse të bën me qeshë dhe tregon gjindshmërinë e një fëmije”, shton Ahmetaj.
“Home Alone” për herë të parë iu prezantua publikut në vitin 1990. Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë, Kevini, fëmija që mbetet vetëm në shtëpi për Krishtlindje është ndër figurat më të pëlqyera për festat e fundvitit.