Kuriozitet

Dhjetë më të pasurit e botës në pandemi shtuan 400 miliardë dollarë pasuri

Dhjetë njerëzit më të pasur në botë kanë shtuar vlerën e pasurisë së tyre prej më shumë se 400 miliardë dollarësh që kur ka nisur pandemia e koronavirusit, pasi bizneset e tyre u forcuan nga mbylljet dhe kriza ekonomike në gjithë botën.

Pasuria e këtyre dhjetë personave u rrit për më shumë se 400 miliardë dollarë, ka vlerësuar prestigjiozja “Forbes”.

Jeff Bezos, themeluesi dhe shefi i Amazonit, ka shtuar pasurinë për 70 miliardë që nga muaji mars. Ai tani ka rekord prej 185 miliardë dollarësh, teksa qindra miliona njerëz blenë nga shtëpitë përmes platformës së tij.

Pjesëtarët tjerë të elitës së super të pasurve që kanë përfituar dukshëm në krizën e madhe të pandemisë janë edhe Elon Musk, themeluesi i Teslas; Bernard Arnault, miliarderi francez që është pronar i portfolios luksoze LVMH; themeluesi i Facebookut Mark Zuckerberg dhe Larry Page i Google-it.

Teksa shumica e bizneseve të vogla janë goditur fuqishëm në pandemi, aksionet e Amazonit janë rritur për 90 për qind që nga marsi. Bezosi ka 11 për qind të aksioneve të kompanisë. Javën e shkuar, ish-bashkëshortja e tij, Mackenzie Scott njoftoi se ka dhuruar katër miliardë dollarë për katër muaj në ndihma.

Megjithatë, rritja e pasurisë së Bezosit bie nën hije në krahasim me rritjen e Elon Muskut, shefit dhe themeluesit të kompanisë së veturave elektrike Tesla. Pasuria e tij u rrit në 153 miliardë dollarë, nga 25 sa ishte në muajin mars. Musk tani është personi i dytë më i pasur në botë, nga i 35-i sa ishte në janar.

Bernard Arnault, evropiani më i pasur në botë, dyfishoi pasurinë që nga fillimi i pandemisë pasi brendet luksoze të tij në “LVMH Moët Hennessy Louis Vuitton” shpërthyen. Pasuria e tij u rrit nga 69 miliardë në mars në 148 miliardë tash, për ta bërë personin e tretë më të pasur në botë.

Bill Gates, themelues i Microsoftit është personi i katërt më i pasur në botë. Ai ka pasuri prej 120 miliardë dollarësh, me rritje prej 20 miliardë që nga marsi.

Themeluesi i Facebookut, Mark Zuckerberg, ka rritur pasurinë për gati 80 për qind, duke kapur vlerën e 100 miliardë dollarëve. Investitori Warren Buffet arriti në 85 miliardë dollarë, ndërsa bashkëthemeluesi i “Oracle”, Larry Ellison, rriti pasurinë prej 50 për qind, për të arritur në 88 miliardë dollarë. Larry Page, një nga themeluesit e Google-it, arriti në 76 miliardë dollarë, ngjashëm sikur bashkëthemeluesi tjetër Sergey Brin. Amancio Ortega, themelues i “Inditex”, arriti në 75 miliardë dollarë sivjet.

Ana Arendar, që udhëheq me kampanjën kundër pabarazisë, në organizatën “Oxfam”, ka thënë se fakti që më të pasurit kanë bërë shumë para gjatë pandemisë “tregon hiq më pak se heqja e përgjegjësisë” së qeverive të botës për zgjerimin e pabarazisë. “Qeveritë duhet të ndalin ‘së kënaquri’ të pasurit. Një taksë e pasurisë do të bënte dallimin në pasuritë e më të pasurve, por mund të ishte kyçe për ata që janë rënduar në pandemi”, ka vlerësuar ajo.