Tiranë, 1 dhjetor - Zëvendëskryeministri Erion Braçe publikoi sot pamje nga parku i Divjakës, i tëri i “pushtuar” nga flamingot.
Zv/kryeministri Braçe, krahas fotove të publikuara përcolli edhe mesazhin për zbatimin e masave që parandalojnë përhapjen e COVID-19, teksa u shpreh se grumbullimi i flamingove, është i vetmi grumbullim që lejohet këto ditë e në vijim në Shqipëri.
“Parku, sot në mesditë. Kthimi në shtëpi është kështu. Mos harroni!. Është i vetmi grumbullim që lejohet këto ditë e në vijim në Shqipëri”, deklaroi Braçe.
Laguna e parkut Divjakë-Karavasta është kthyer në një “magnet” për flamingot, zogjtë me qafën e hollë dhe të harkuar dhe me këmbët e hijshme, të cilët e frekuentojnë atë prej 10 vitesh.
Moratoriumi i gjuetisë ka dhënë efektet e shtimit të numrit të shpendëve ujorë dhe migratorë në vendin tonë.
Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla, deri në qindra-mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit.
Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre, një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit/ATSH.
{gallery}