Kuriozitet

Testet për COVID-19 dërgohen me dron në Berlin

Një laborator gjerman po shpreson që të kursejë kohë për dërgimin e testeve të koronavirusit përreth Berlinit duke përdorur dronë, duke iu shmangur kështu rrugëve të stërmbushura të kryeqytetit.

Kompania “Matternet” me bazë në Kaliforni tashmë është duke i testuar dërgesat me dron mes një spitali dhe laboratorit të Berlinit, një nga laboratorët më të mëdhenj në Evropë.

Rruga nga droni deri te laboratori është rreth 11 kilometra, përderisa droni fluturon dhe zyrtarët presin që ta zvogëlojnë kohën standarde të dërgesave - që është rreth një orë deri në afro 10 minuta - kur të fillojë shërbimi rrugor në janar.

Përfundimisht, shpresa është që dronët do të sigurojnë dërgesa të rregullta në laboratorë nga gjashtë pika përreth Berlinit, duke kursyer minutat jetësore të kohës për teste të COVID-it.

“E tërë çështja e ‘kohës për rezultat’ është vërtet e rëndësishme, sidomos kur ekziston dyshimi për infektim”, ka thënë Klaus Tenning, që është duke e udhëhequr projektin për laboratorin e Berlinit. “Doni ta identifikoni personin dhe t’i merrni rezultatet sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që personi të mund të vetizolohet, apo të mund të vazhdojë jetën normale”.

Në secilën rrugë do të dërgohen dy dronë, që teorikisht fluturojnë 24 orë në ditë. Bateritë në dronë thjesht ndërrohen kur fillojnë të harxhohen, duke e eliminuar kohën e mbushjes.

Secili dron mund t’i bartë rreth 40 mostra. S’është që vetëm testet për COVID-19 do të transportohen, por çfarëdo mostre që duhet të ekzaminohet në laborator.

“E kemi thënë nga fillimi se ky do të jetë një projekt i punës”, ka thënë Tenning.

Sipas Agjencisë së kontrollit të sëmundjeve në Gjermani, instituti “Robert Koch”, 175 laboratorë në Gjermani së bashku kanë kapacitet të testeve për COVID-19 me 307,000 teste në ditë.

Çdo javë po kryhen mbi një milion teste standarde PCR për COVID-19, disa në qendrat e caktuara të testeve, por gjithashtu në klinikat e mjekëve dhe në spitale. Tenning mendon se ka hapësirë për përmirësime kur vjen puna te dërgimi i mostrave nga disa rrjete të testimit për në laboratorë.

“Një situatë emergjente si pandemia mund të sjellë ndryshime dhe inovacione më të shpejta”, ka thënë ai.

“Matternet” tashmë ka në funksion sisteme të ngjashme të dërgesave me dronë në Zvicër dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por Berlini do ta ketë sistemin e parë të tillë në Bashkimin Evropian. Kompania është duke pritur për ligjet e reja të dronit të ri që të hyjnë në fuqi më 30 dhjetor, duke filluar operacionet e rregullta.

Nëse një makinë papritmas dështon, dronët kanë parashutë. Ata mund t’i zbulojnë edhe avionët e tjerë - si helikopterët - dhe qendra kontrolluese do të jetë e lidhur me operacionet e helikopterit për t’iu shmangur fluturimit të një droni në hapësirën e njëjtë.

Por, shumicën e kohës, dronët janë tërësisht autonomë.

“Ata e nisin veten dhe e ndjekin një rrugë të definuar më herët dhe pastaj lëshohen në mënyrë autonome në drejtimin e caktuar”, ka thënë Alex Norman, menaxher i projektit në “Matternet”.

Faza tjetër e pandemisë së koronavirusit me gjasë do të fillojë kur vaksinat të jenë në dispozicion. Në këtë fazë nuk ka plane konkrete për përdorimin e dronëve për t’i dërguar vaksinat, por mund të ekzistojë si mundësi për të ardhmen, ka thënë ai.

“Matternet” është duke krijuar kuti me aparate për kontrollimin e temperaturës, që do të mund të siguronin hapësirë shumë të ftohtë për të cilën kanë nevojë disa vaksina, ka thënë ai.

Image