Kuriozitet

Mulliri i Ali Pashës në Tepelenë që akoma bluan si 200 vite më parë

Nuk është vetëm Uji i Ftohtë në Tepelenë, një atraksion dhe pikë e njohur nga gjithkush që i bie rruga kësaj ane. Ka të tjera pika që vizitorët me ambicie që “gjurmojnë” mrekullitë historike, ekoturistike e arkeologjike të jugut, mund t’i prekin lehtë për të marrë ndjesi të pashlyera.

Tashmë në guidat e Tepelenës, janë shtuar të tjera pika të vizitueshme, rrëfen Aleksandër Toti, djaloshi i bashkisë me origjinë nga Lekli i Thanas Vajës, që merret me promovimin e vlerave turistike në këtë vis të jugut, ngjitur me sarajet e dikurshme të Aliut ku priti Bajronin para se ky i fundit të rrugëtonte për Janinë.

Toti tregon se nga Kalaja e Tepelenës turisti mund të shkojë një çap më tej, buzë lumit të kristaltë të Bënçës, tatëpjetë Veliqotit për të parë një tjetër kuriozitet, Mullirin e kohës së Pashait që vazhdon të bluaj si 200 vite më parë.

Duke hyrë në mjediset e Mullirit me dy kate, ti sheh si punon mokër e vjetër që miellzon si me magji grurin e këtyre anëve. Pastaj, sheh vijën e ujit apo jazin e Mullirit me ujin kristal që vjen prej kanioneve të Bënçës për të rënë me presion të qilimat e velencat e leshit të punuara në tezgjah nga duart e labëreshave të kësaj treve dhe për të marrë sërish ngjyrat e mrekullueshme të ylberit.

At e bir, që mbajnë gjallë këtë art

Vitet e fundit, ata që e mirëmbajnë Mullirin e lashtë janë familja e të paharruarit mjeshtër, Lefter Bleta. Atë e bir, kanë përcjellë artin e mirëmbajtjes së mullirit me dërstilë.

Lefteri, kishte duar të arta dhe e punonte drurin duke i dhënë shpirt e bukuri të beftë.

Tani, këtë traditë e vijon i biri, Ermali që nuk i ka lënë gjë mangut talentit të të atit, po edhe zonja Bleta, nëna e tij.

Shumë vite më parë të tregojnë se mullirin e lashtë e kanë mirëmbajtur të tjerë ustallarë si Kamber Canaj, Hysni Brahimi dhe Baki Shehu, mjeshtër i punimeve në dru. Dhe kështu, mjeshtër pas mjeshtri lanë gjurmët e duarve dhe mendjes edhe specialistët e gdhendjes së mokrës që bluante drithin.

Mulliri i kohes se Ali Pashës ende bluan…dhe ne centrifugen gjigante të ujit të borës, që bie me vërtik, llamburisin nga larja: qilima, flokata, rrugica e sixhade prej leshi me lulet e maleve e të lëndinave alpine këtej rrotull.

Turistët

Në mulli herë pas here vazhdojnë të shkojnë vizitorë vendas e të huaj si për të parë një copë mesjete të vonë që ka mbërritur e funksionon në kohët moderne.

Ermali, ka vizionin e tij dhe do që të shtojë në këtë kompleks: mulli, dërstila, manganë, këtë elementin e tretë: dy manganë, si çekiçë gjigantë prej druri që rrahin rrobat e shajakta në vendin ku kanë qenë e punuar dikur.

Mulliri, ndanë rrugës së vjetër Tepelenë-Vlorë, nuk është as 1 km larg nga Sheshi “Lord Bajron” i qytetit.

Turisti, pasi ka frekuentuar Kalanë e Ali Pashe Tepelenës me rehabilitimet e kohëve të fundit, pasi ka lënë pas sheshin e madh të qytetit, nga me të bukurit në jug të vendit, mund të vazhdojë guidën edhe më tej. Në Bënçë, fshatin e polifonisë së famshme të këngëve të Golik Jaupit po edhe të Ekovilës interesante punuar nga duart e Sheme Maçit.

Me tej akoma, turisti mund të rrugëtojë më në lartësi, për pak kilometra, në një udhë automobilistike me peizazh mahnitës ku sot po kryhen me intensitet rehabilitimet e rrugës që pritet të asfaltohet brenda vitit. Rruga që nis përballë Mullirit të lashtë të kohës së Ali Pashë Tepelenës, të shpie në pllajën e Kurveleshit të Sipërm me befasira gjeonatyrore e historike, atje, ku guida pasurohet me vende të një peizazhi me alternime të thyerjet tektonike të gëlqerorëve me gjelbërimin e përhershëm të makieve mesdhetare.

Prej këtej, zë fill rruga turistike që e lidh Tepelenën me Kurveleshin e Sipërm për të mbërritur në peizazhet e bregdetit të Himarës.

-E di sa zgjat udhëtimi nga Tepelena dhe Mulliri i Ali Pashës për në plazhin e Borshit?- m’u drejtua Aleksandër Toti.

Dhe pa pritur ndonjë përgjigje, m’u drejtua sërish:

-Vetëm 60 minuta, or mik!

Image