Kuriozitet

Planetët rreth një ylli afër Tokës mund të kenë jetë

Descriptive Text

Deri në tre planetë, që duken shkëmborë sikur Toka, janë zbuluar rreth një ylli që është relativisht afër sistemit tonë solar. Ky sistem planetar po tregohet intrigues për astronomët që po kërkojnë për shenjat e jetës jashtëtokësore.

Planetët sillen rreth yllit GiIlese 887, i ashtuquajturi xhuxhi i kuq, që ka gjysmën e masës së diellit dhe që gjendet 11 vjet drite larg neve, që në fjalorin kozmik, i bie të jetë prapa gardhit tonë, kanë thënë shkencëtaret të premten.

Janë identifikuar saktë dy planetë, njëri që sillet rreth Gillese 887 çdo nëntë ditë dhe tjetri çdo 21 ditë. Njëri nga këto dy planetë gjendet menjëherë brenda asaj që quhet zona e banueshme rreth yllit, që nuk është as e ngrohtë e as e ftohtë, dhe ndoshta ka mundësi të mbajë ujin në gjendje të lëngët në sipërfaqe dhe me këtë edhe të krijojë kushte për jetë, raporton Reuters.

“Këta planetë janë disa herë më të mëdhenj sesa masa e Tokës dhe mendohet se kanë kore të ngurtë ashtu si ka planeti ynë”, ka thënë astronomja Sandra Jeffers nga Universiteti Göttingen në Gjermani, autorja kryesore e hulumtimit të publikuar këtë javë në revistën Science.

“Planetët e sapo zbuluar kanë mundësitë më të mëdha nga të gjitha planetët që janë afër Diellit, për të parë nëse kanë atmosferë dhe nëse atmosfera e tyre krijon kushte për jetë”, shtoi Jeffers.

Ky sistem planetar do të jetë cak kryesor i studimit nga ana e teleskopit të NASA-s “James Webb”, që do të lansohet në vitin 2021.

Yjet që quhen xhuxhë të kuq janë relativisht të vegjël dhe të ftohtë. Gillese 887 nuk ka shpërthime energjetike nga brenda, andaj ka mundësi të jetë ambient i banueshëm për planetët në orbitën e tij.