Kuriozitet

Astronomët dallojnë dëshminë e parë potenciale të lindjes së një planeti të ri

Astronomët besojnë se mund të kenë gjetur dëshmitë e para të drejtpërdrejta të lindjes së një planeti të ri.

Një disk i dendur pluhuri dhe gazi është vërejtur përreth një ylli të ri të quajtur AB Aurigae, rreth

520 vjet drite larg prej tokës.

Me anë të teleskopit enorm të Observatorit Jugor Evropian (VLT), që ndodhet në Kili, studiuesit kanë vëzhguar strukturën spirale me një “kthesë” afër qendrës, gjë kjo që sugjeron se një botë e re mund të jetë në proces të formimit. Disku rrokullisës ishte një prej shenjave të lindjes së një sistemi yjor në konstelacionin Auriga, kanë thënë shkencëtarët.

Doktor Anthony Boccaletti, udhëheqës i studimit nga Observatoire de Paris në Universitetin PSL, në Francë, ka thënë: “Mijëra ekzoplanetë janë identifikuar deri më tani, por pak dihet për formimin e tyre”. “Duhet të vëzhgojmë sisteme shumë të reja për të kapur përnjëmend momentin kur planetët formohen”, ka shtuar Boccaletti.

Deri më tani astronomët nuk kanë qenë në gjendje që të kapin imazhe të qarta të disqeve të vogla, për t’i parë rrotullimet e tyre.

Boccaletti dhe ekipi i tij i astronomëve e përdorën instrumentin “Sphere” të VLT-së për ta fotografuar AB Aurigaen dhe në këto fotografi janë është kapur “një spirale mahnitëse e pluhurit” shkaktuar nga një planet “foshnjë” që përpiqet të godasë gazin.

I njëjti instrument ishte përdorur në vitin 2018 për të fotografuar një tjetër planet “foshnjë”, që mendohej të ishte vetëm 5.4 milionë vjet i vjetër.

Sipas Emmanuel di Folco, nga Laboratori i Astrofizikës në Bordeaux (LAB) në Francë dhe njëri prej autorëve të studimit, ky fenomen i ashtuquajtur i goditjes shkakton “shqetësime në disk në formën e një vale, diçka si vala e një varke në një liqen”.

Guardian