Fotoreportazh: Si të mbijetoni dimrin siberian po s’patët shtëpi Foto: Reuters

Fotoreportazh: Si të mbijetoni dimrin siberian po s’patët shtëpi

19 February 2020 23:53

Sikurse shumë të pastrehë siberianë, edhe Alexei Vergunov u mbijeton temperaturave deri në -30 gradë Celsius gjatë natës duke fjetur nën një gyp industrial të ngrohjes.

Është një ekzistencë e rrezikshme. Nëse i largohet pak si shumë gypit, ai mund të vdesë nga ekspozimi në të ftohtë. Shumë afër dhe mund të pësojë djegie të ashpra pa i vënë re fillimisht nga mpirja me alkool të fortë që shumë e pinë për t’u ngrohur, raporton Reuters.

46-vjeçari ka jetuar kështu për më shumë se 11 vjet.

“Flini natën me sy mbyllur por me veshë të hapur”, thotë ai, transmeton Koha.net.

Ai ishte i etur për një shans për ta rindërtuar jetën e tij, por që kur partnerja e tij, Alyonka, vdiq dy vjet më parë nga kanceri në mëlçi, dëshira i ka humbur. Ata jetonin bashkë afër stacionit të trenit.

“Ia dal disi ditën dhe kaq”, thotë ai. “Nëse gjej ndonjë grua si ajo, mund të ndaloj dhe t’i kthehem shoqërisë, por s’po mundem ta gjejë një si ajo”.

Vergunov, që ka qejf ta quajë veten Lyokha Mjekra, është një nga 3,500 të pastrehët që jetojnë në kushte të vështira në qytetin Omsk, ndonëse shifra e vërtetë është me gjasë më e lartë. Ai është një nga të paktët që ndalon të bisedojë dhe qeshë me banorët e qytetit që kanë shtëpi.

“Ju do të ngrini në apartamentet tuaja me tre batanije, jo unë mes gypave”, thotë ai me shaka.

Koha e tij e preferuar është nata. Megjithëse shumë ftohtë, qyteti është i qetë dhe ai është i lirë të bredh dhe të kërkojë një hedhurinë mbeturinash për shishe qelqi dhe sende të tjera që mund të shkëmbejë për një shumë të vogël parash.

Omsk, qytet i cili gjendet tri zona kohore larg Moskës, ka një strehimore të natës për të pastrehët. Por është në një pjesë të largët të qytetit dhe Vergunovi nuk fle atje sepse të pastrehët lokalë nuk e lënë atë në deponinë e mbeturinave, në atë që ata e konsiderojnë si hise të tyre.

Një organizatë bamirëse, “Caritas”, u dërgon ushqim e rroba të pastrehëve të qytetit, por Vergunovi ka mësuar që të ruhet nga keqbërësit. Ai njëherë ia ka shpëtuar jetën mikut të tij, Alexander, pasi një grup adoleshentësh ia kishin vënë flakën atij.

Ndonjëherë fatkeqësia dhe dhimbja mund t’i shkundin të pastrehët e Omskut drejt përpjekjes për të ndryshuar jetën e tyre.

Lyusya Stepanova, 44-vjeçe, po e shqyrton mundësinë që të kthehet në shoqëri pas më shumë se 27 vjetësh në rrugë. Ajo u shtri në spital për tri javë muajin e kaluar me djegie të rënda në trup pasi e kishte zënë gjumi shumë afër gypave ku po strehohej.

Ajo tani është në një qendër rehabilitimi rreth 30 kilometra larg qytetit, në fshatin Rozovka.

“Planifikoj të shkoj në shtëpi, te nëna”, thotë ajo, ndonëse e di se s’mund ta kthejë kohën mbrapa 27 vjet në rrugë. “Ëndrrat e mia të fëmijërisë ishin fisnike, por tani është shumë vonë, anija veçse ka ikur”.

  • Foto: Reuters

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme