Kuriozitet

Ndahen me sukses binjakët e lindur në një trup

Një nënë peruane e binjakëve sivjet po feston një mrekulli Krishtlindjesh pasi bebet e saj për herë të parë janë kthyer në shtëpi, pas operacionit të suksesshëm për ndarjen e tyre.

Bebet, Edgari dhe Dominiku, kanë lindur me procedurë cezariane gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar.

Ata u kthyen në shtëpi më shtatë dhjetor të këtij viti pasi në muajin shtator në një operacion që zgjati 18 orë, mjekët ia dolën që me sukses të ndanin binjakët e lindur në një trup.

Raste të tilla, të njohura si binjakët parazitarë, kur binjakët janë të ngjitur nga pjesa e poshtme e trupit, janë shumë të rralla dhe ndodhin një në 200 mijë lindje.

Doktori Luis Apaza, falënderoi ekipin e tij që ia doli të kryente me sukses këtë operacion.

“Është sukses dhe mrekulli, por reflekton edhe punën e ekipit. Ajo që nuk ka çmim është buzëqeshja dhe lumturia e prindërve që u bashkuan me fëmijët e tyre”, ka thënë Apaza, transmeton emisioni “Reciklim” i KTV-së.

Në operacion morën pjesë më shumë se 40 specialistë, përfshirë kirurgë pediatrik, radiolog, anesteziologë dhe urologë.

Në pjesën e parë të operacionit binjakët është dashur të ndahen.

Doktorët i kushtuan rëndësi të madhe rrjedhës së nervit në trupat e bebeve, me qëllim që ata të mos humbnin lëvizjen e këmbëve.

Ata thanë se pjesa më e vështirë ishte ndarja e trakteve urinare e të tretjes, dhe ijëve.

Pjesa e dytë përfshinte operacionin e rikonstruktimit. Doktorët kanë parashikuar se binjakët me shumë gjasë do u duhen operacione shtesë, por kur të rriten.

E për nënën Xiomara Morales kjo nuk ka aspak rëndësi kur e sheh që fëmijët i janë kthyer në shtëpi.

“Është mrekulli krishtlindjesh. Krishtlindjet e vitit të kaluar i përjetova e shtrirë në spital dhe nuk i kisha afër fëmijët. Tani do të jem me familjen time dhe ata janë si një dhuratë për mua”, ka thënë Morales.

Në vitin 2013, doktorët në Peru me sukses ndanë binjakë tjerë.

Vlerësohet se 35 për qind e binjakëve të lindur në një trup, jetojnë vetëm një ditë.