Kuriozitet

Ish-presidenti Mugabe la miliona dollarë në bankë, por pa testament

Ish-Presidenti i Zimbabve, Robert Mugabe vdiq duke lënë 10 milionë dollarë në bankë. Pasuri të tjera përfshijnë katër shtëpi, 10 makina, një fermë dhe një pemishte.

Por, sipas avokatit të familjes, ai nuk ka lënë asnjë testament.

Mugabe, i cili vdiq në shtator në moshën 95 vjeçare, u rrëzua nga posti më 2017 pas 37 vjetësh në pushtet.

Gjithmonë kishte pasur zëra për pasurinë e tij, përfshirë një kështjellë skoceze.

Por kjo nuk u përmend në letrën që vajza e tij Bona Chikowore i drejtoi gjykatës së lartë.

Madje nuk përmenden as fermat e tjera, për të cilat ishte raportuar se Mugabe i fitoi pronësinë gjatë një programi të diskutueshëm në vend për reformën e tokës.

Lista përfshin dy prona në periferi të kryeqytetit, Harare.

Në Zimbabve, nëse një person vdes pa lënë testament, atëherë pasuria ndahet mes bashkëshortit/es dhe fëmijëve.

Mugabe la pas gruan e tij, Grace, si edhe katër fëmijë.

Vendi aktualisht po kalon një krizë të rëndë ekonomike, me rritjen e inflacionit dhe mungesën e ushqimit.

Javën e kaluar, një zyrtar i Kombeve të Bashkuara paralajmëroi se vendi ishte në prag të urisë.

Kishte shpresë se epoka e pas Mugabe, nën drejtimin e presidentit Emmerson Mnangagëa, do të sillte një ndryshim në fatin ekonomik të vendit.

Por qeveria aktuale është akuzuar për keqmenaxhim ekonomik dhe abuzime të të drejtave të njeriut.