Kuriozitet

Mori rërë nga plazhi, çifti francez rrezikon të dënohet me 6 vjet burgim

Descriptive Text

Një çift francez rrezikon 6 vite burgim pasi u kapën me rërë nga plazhi i Sardenjës, ku ata kaluan disa ditë pushimi.

Rëra e bardhë e këtij ishulli italian është e mbrojtur dhe kushdo që guxon të marrë rërë rrezikon gjoba të majme dhe burgim.

Çifti, rreth të 40-ve, kishte marrë rërën në 14 shishe plastike apo rreth 40 kilogramë dhe u kapën nga policia gjatë një kontrolli rutinor ku ata po prisnin të hipnin në traget për të shkuar drejt Francës, transmeton kp.

Ata thanë se nuk e dinin që një gjë e tillë ishte e ndaluar, por policia në qytetin verior të Porto Torres tha se ka tabela në disa gjuhë që tërheq vëmendjen për një gjë të tillë dhe iu kujton turistëve se marrja e rërës është krim.

Çifti menjëherë u arrestua dhe po presin vendimin e një gjykatë në Sassari ku rrezikojnë gjashtë vite burgim dhe një gjobë deri në 3 mijë euro.

Vjedhja e rërës së bardhë dhe gurëve nga plazhet e Sardenjës është shumë e zakonshme, tha një oficer policie, dhe ekziston një treg i paligjshëm për këtë në internet. Vjedhësit e rërës zakonisht kapen në aeroporte, në kërkime për çanta dhe nga skanerë.

Rëra dhe gurët e sekuestrua nga policia kthehen në plazh në fund të sezonit veror.