NASA jep alarmin, akujt në Grenlandë po shkrijnë me shpejtësi

NASA jep alarmin, akujt në Grenlandë po shkrijnë me shpejtësi

21 August 2019 12:09

Akujt arktikë po shkrijnë me shumë shpejtësi në Grenlandë. Alarmi është lëshuar nga shkencëtarët e NASA-s, të cilët theksojnë se kjo nuk vjen vetëm nga ajri i ngrohtë, por ndikim të madh kanë edhe ujërat e ngrohtë oqeanikë.

Një raportimin special i gazetarit të CNN, Fred Pleitgen.

“Nisemi nga një fushë ajrore e vogël në jug të Grenlandës, ndërsa NASA zhvillon misionin e saj për të matur se si ujërat e ngrohtë oqeanikë po shkrijnë akullin arktik. Krye shkencëtari Josh Willis tregon sondat që po lëshojnë përreth Grenlandës, që janë në njëfarë mënyrë termometra në det.

“Ato nxirren jashtë avionit përmes këtij tubi dhe bien në oqean dhe më pas ndahen në dy pjesë duke përfunduar në fund të detit. Kështu na japin ne një profil që prej sipërfaqes e deri në fund të detit”.

Ne kemi arritur zonën e lëshimit, akullnajën masive Helheim! Ajo që po shikoni nga kamera e kabinës sonë nuk është akullnaja por thjesht akulli që ka humbur së fundi. Kjo shtrihet për disa kilometra.

“Është shumë frymëzuese madhësia e kësaj akullnaje, dhe të shikosh akullin që del prej tij dhe që tashmë lundron në oqean. Kjo është një prej akullnajave më të mëdha të Groenlandës. Kjo është shumë madhështore”.

Shkencëtarët vërejnë një zonë pa akull në qendër të akullnajës. Shumë e pazakontë. Me një saktësi shumë të lartë ata duhet të lëshojnë sondën. Rezultati që ata marrin është shqetësues. Ujëra të ngrohtë në të gjithë thellësinë e akullnajës, mbi 600 metra poshtë sipërfaqes.

“Këto ujëra të ngrohtë janë në gjendje të bien në kontakt të drejtpërdrejtë me akullin në të gjithë sipërfaqen e akullnajës, duke shpejtuar shkrirjen”.

Dhe nuk është vetëm kjo akullnajë. Në të gjithë Groenlandën, kohëve të fundit është vënë re një përshpejtim i shkrirjes së akujve.

“Ky vit do të shënojë rekord për akullin e shkrirë në arktik. Shkencëtarët e NASA-s zbuluan se nuk është vetëm ajri i ngrohtë, por edhe ujërat e oqeaneve që zvogëlojnë madhësitë e akullnajave”.

Ndërsa duket madhështor, shkrirja e akullit është shumë e rrezikshme. Këto miliarda tonë akull po shkaktojnë rritjen e nivelit të deteve. Shkencëtarët e projektit të NASA-s në Groenlandë kërkojnë angazhimin e të gjithë njerëzimit për të ngadalësuar ngrohjen globale, ose në të kundër duhet të përballemi me pasojat.

“Ka shumë akull në Groenlandë sa mund të rrisë nivelin e deteve me 7,5 metra. Kjo do të ishte shkatërruese për të gjitha bregdetet përreth planetit”.

Ndryshimet në mjedisin e planetit tonë mund të shikohen qartësisht këtu në Groenlandë. Një parajsë arktike, paralajmërimet klimatike të së cilës, do të na prekin të gjithëve ne./A2CNN

Komentet

Shto koment

Të ngjashme