Kuriozitet

Një qytetar në Prizren e dorëzon në Polici kuletën që e gjeti në “Tregun e gjelbër”, identifikohet pronarja

Policia në Prizren e ka vlerësuar veprimin e një qytetari i cili e kishte gjetur një kuletë në Tregun e gjelbër dhe e kishte dorëzuar në Stacionin Policor.

Përmes një raporti policor, njofton se rasti ka ndodhur dje.

“Një qytetar i Prizrenit, i cili kishte qenë në ‘Tregun e gjelbër’ në Prizren, ka gjetur një kuletë me para, dokumente dhe gjësende me vlerë. Qytetari i cili e ka gjetur kuletën duke vepruar ndërgjegjshëm, e ka dorëzuar kuletën në Stacionin policor në Prizren”, thuhet në raport.

Policia njofton gjithashtu se është identifikuar personi që i kishte humbur kuleta dhe i është kthyer.

“Policia pasi ka vërtetuar dhe konfirmuar për personin i cili e ka humbur, ja ka dorëzuar në prezencë të dëshmitarit me vërtetim të gjitha sendet e humbura. Kuleta i përkiste një gruaje me kombësi turke dhe me këtë veprim e njëjta i ka falënderuar qytetarin dhe policinë e Kosovës. Gjithashtu policia e Kosovës në Prizren e ka falënderuar qytetarin dhe njëherësh kërkon, që në raste të tilla të tregohet kulturë dhe qytetari sikur ky veprim”, thuhet në raport.