Kuriozitet

Gjeli “futbollist” i Rrencit të Shkodrës, dëshirojnë t’ia vendosin emrin Messi

Descriptive Text

Futbolli mbetet sporti më popullor në botë dhe në Shqipëri, si në nivel pjesëmarrësish, ashtu dhe në nivel ndjekësish.

Nga fshati Rrenc i Shkodrës vjen një rast i veçantë, teksa pas futbollit duket se është i apasionuar edhe një shpend.

Në fermën e Lin Tushajt është një gjel, i cili në pamje të parë është normal si të gjithë gjelët e tjerë, por nga banorët e zonës është pagëzuar me emrin “Gjeli futbollist” për shkak të aftësive të tij me topin.

Ka qenë vajza e vogël, Leandra Tushaj, e cila rastësisht ka zbuluar faktin se gjeli e ndjek topin sa herë që ia pason.

“Unë kam një gjel që e ka qejf futbollin. Kam qejf t’ia vendos emrin Messi, sepse mua më pëlqen Barcelona dhe jam tifoze e atij ekipi”, tha Leandra Tushaj.

“Gjeli është bërë i famshëm në të gjithë fshatin”, tregon i zoti i shtëpisë, teksa tani ka vendosur që të mos e shesë, por ta mbajë sa më gjatë.

“Kur më pyetën sa e shes, unë nisa të bëja shaka. Një gjel i tillë në Shkodër bën 1.000-1.500 lekë, ndërsa unë ia vura çmimin 50 euro. Ofertat më pas nisën të rriteshin deri në 280 euro për atë gjel. Me që u bë gjel i rëndësishëm, thashë po e mbaj vet”, tha Lin Tushaj.

Interesant mbetet fakti se, sa herë i pasohet topi, gjeli e godet dhe e kthen pas. Kjo ka bërë që të gjithë fëmijët e fshatit Rrenc të luajnë herë pas here me të./tch