Kuriozitet

Shqiptari zbulon artisten e talentuar dy-vjeçare

Në një të hënë me diell, artistja 2-vjeçare Lola June, ndihmon që të bëhen gati tasat me ngjyrë, derisa brushën ia jep Pajtim Osmanaj, piktori shqiptar që zbuloi artisten e vogël. Pasi të sigurohet gjithçka, artistja merr brushën që është më e gjatë se ajo, derisa tasin me ngjyrë të zezë ia mban Osmanaj.

Artisti shqiptar është mik i nënës së Lola Junes, Lucille Javier, një stiliste flokësh në New York. Derisa po darkonin, Osmanaj vërejti përzierjen e mirë të ngjyrave që bëri vogëlushja dhe shkarravitjet e ngjashme me artistët e njohur Cy Twombly dhe Joan Mitchell. Pas asaj mbrëmjeje, Osmanaj ia dha panelin me ngjyra, të cilat i përdor edhe vetë.

Lola June ka mbajtur dy ekspozita në galerinë e artit “ChaShaMa”. Osmanaj thotë se gjatë ekspozitës së parë, pikturat e dyvjeçares janë shitur me çmim nga 300 deri në 1 mijë e 800 dollarë dhe njerëzit blinin nga katër piktura. Në ekspozitën e dytë, çmimet e pikturave ishin nga 500 deri në 2 mijë e 800 dollarë.

“Të shesësh një vepër arti për 1 mijë e 500 dollarë dhe që ka një tregim të madh prapa, atëherë është e lirë. Krejt ekspozita kishte 40 vepra arti, ndërsa ne shitëm 32 prej tyre, prandaj them se patëm sukses”, tregon Osmanaj.

Nëna Lucille Javier, thotë se dyvjeçarja ka një vizion dhe estetikë, edhe pse nuk i pëlqen krejt pikturat e vajzës së saj.

“Është mirë të kemi kritika, vinin njerëzit dhe na thoshin: ‘Kjo është bërllok’ dhe mendoj se kishin të drejtë, arti shpesh mund të jetë bërllok, por ndoshta nuk është dashur ta them me zë këtë”, thotë Javier.

Artisti shqiptar që ishte kurator i ekspozitave të vogëlushes, thotë se Lola June është origjinale dhe bën art pa u brengosur se çfarë thonë të tjerët.

“Artistët e rritur si unë apo të tjerët, tentojnë të gjejnë lirinë që disi e kemi humbur. Atë e kishim kur ishim fëmijë. Lola, në këtë kohë është origjinale, është vetja dhe është shpirt i lirë që bën art pa u brengosur për botën artistike apo se çfarë thonë të tjerët”, thotë Osmanaj.