Kuriozitet

Një vilë 57 milionë euroshe në Francë pritet të shembet si “e paligjshme”

Ajo kushton 57 milionë euro, por kjo s’do të thotë asgjë. Një vilë madhështore në jug të Francës duhet të rrafshohet me tokën, pasi një gjykatë e ka shpallur atë “ndërtim të paligjshëm”.

“Chateau Diter” në Grasse, që dikur ishte një shtëpi fshati e braktisur prej 200 metrash katrorë, me rrethina të mbushura me gjarpërinj, u shndërrua në një vilë në stilin toskan, me një pishinë dhe një port hidroplanësh.

Sidoqoftë, një gjykatë doli në përfundimin se ndërtesa ishte ngritur pa leje, në një terren të mbrojtur, e tha se duhej shkatërruar brenda 18 muajsh.

Pronari i saj që merret me pronat, Patrick Diter përballet po ashtu me një gjobë prej 450 mijë eurosh, që do të rritet me 500 euro për çdo ditë, nëse ai nuk e shemb atë brenda 18 muajve të paracaktuar.

Në procesin gjyqësor të zhvilluar në janar, prokurori publik kishte thënë se shndërrimi i pronës ishte një projekt faraonik, tërësisht i paligjshëm dhe i ndërtuar në mënyrë të paligjshme.

Pronari, në përfundim pranoi ta shembte atë. Ai u padit në gjykatë pasi fqinjët u ankuan për zhurmat që vinin nga shatoja, kur ajo jepej me qira për produksione filmash apo dasma, për 50 mijë euro për një mbrëmje. Gjykata i akordoi madje edhe fqinjëve 45 mijë euro dëmshpërblim./TopChannel