Parisi, Singapori e Hong Kongu, qytetet më të shtrenjta të botës Foto: AFP

Parisi, Singapori e Hong Kongu, qytetet më të shtrenjta të botës

19 March 2019 16:48

Parisi është renditur në krye të listës së qyteteve më të shtrenjta të botës, duke u barazuar në këtë mes me Singaporin dhe Hong Kongun, ka treguar të martën një sondazh që po ashtu e nxori kryeqytetin e Venezuelës në krizë si më të lirin në glob.

Kryeqyteti francez është i vetmi qytet i eurozonës në top 10-she, duke u ngritur në pozitë për dy vite radhazi, ka raportuar agjencia franceze e lajmeve “AFP”, transmeton “Koha Ditore”.

“Parisi është jashtëzakonisht i shtrenjtë për jetesë”, thuhet në sondazh. “Vetëm alkooli, transporti dhe cigaret mund të krahasohen me qytetet e tjera të Evropës”.

Njësiti i Inteligjencës i “The Economist” (EIU), i cili e kreu sondazhin, ka bërë të ditur se kjo është hera e parë në më shumë se tri dekada që tri qytete e ndajnë pozitën e parë për sa i përket çmimeve të larta.

Në dhjetëshen e parë të listës dominojnë kryesisht qytetet nga Azia dhe Evropa, me ç’rast Osaka e Japonisë u rendit e pesta teksa Seuli i Koresë së Jugut i shtatit. Në top 10-she zunë vend edhe Cyrihu, si qyteti i katërt më i shtrenjtë, Gjeneva që ndau pozitën e pestë me Osakan si dhe Kopenhaga që u rendit e shtata bashkë me Seulin.

Ndërkaq në fund të listës, Karakasi e rrëzoi Damaskun nga froni i qytetit më të lirë në botë, si rrjedhojë e krizës së rëndë ekonomike që ka ngërthyer Venezuelën gjatë viteve të fundit. Në fund të listës janë renditur po ashtu Bengalori (i 129-ti), Karachi (i 127-ti), Chennai (i 125-ti) dhe New Delhi (i 123-ti).

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme