Kuriozitet

Policia në Britani kërkon hajdutin që ngjan me aktorin e famshëm

Fotografia e një hajduti që i ngjan personazhit Ross Geller nga seria e famshme “Friends” ka marrë reagime qesharake nëpër rrjetet sociale.

Policia në Burnley ka publikuar fotografinë e hajdutit që në shikim të parë duket si aktori David Schwimmer, raporton BBC.

Në këtë fotografi hajduti shihet duke vjedhur një pako me birra, por postimi i policisë në Facebook ka marrë komente qesharake nga njerëzit, transmeton Koha.net.

Policia më vonë konfirmoi se aktori Schwimmer nuk ishte në Britani të Madhe në momentin e vjedhjes që ndodhi në Burnley.

“Faleminderit të gjithëve për përgjigjet e shpejta. Kemi hetuar çështjen dhe kemi konfirmuar se David Schwimmer ishte në Amerikë gjatë asaj date”, ka thënë policia në përgjigje të komenteve.

Policia ka bërë apel te të gjithë për të shpërndarë informacione rreth hajdutit që vodhi birra në një restorant.

Schwimmer ishte pjesë e serisë “Friend” që prej fillimit në vitin 1994 deri në fund të saj më 2004.