LAJMET E MBRËMJES

Zgjerimi, prioritet në buxhetin 2 trilionë eurosh të BE-së për shtatëvjeçarin e ardhshëm

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë gjatë prezantimit të këtij plani se me këtë kornizë buxhetore është caktuar edhe zgjerimi si prioritet kyç. “Zgjerimi është prioritet kyç. Nuk është vetëm qëllim politik por investim strategjik në stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës. Prandaj, ne po e hapim në tërësi edhe instrumentin ‘Global Europe’, edhe për vendet kandidate, jo vetëm për asistencë teknike por edhe për reforma dhe projekte konkrete”, ka thënë ajo

Pas shumë diskutimeve, Komisioni Evropian (KE) e ka propozuar të mërkurën kornizën shtatëvjeçare financiare për periudhën pas vitit 2027, i cili është dokumenti më i rëndësishëm për Bashkimin Evropian (BE). 

Komisioni për shtatë vjet radhazi ka propozuar 2 trilionë euro buxhet, nga të cilat do të financohen shumë politika, përfshirë edhe zgjerimi i BE-së.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë gjatë prezantimit të këtij plani se me këtë kornizë buxhetore është caktuar edhe zgjerimi si prioritet kyç.

“Zgjerimi është prioritet kyç. Nuk është vetëm qëllim politik por investim strategjik në stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës. Prandaj, ne po e hapim në tërësi edhe instrumentin ‘Global Europe’, edhe për vendet kandidate, jo vetëm për asistencë teknike por edhe për reforma dhe projekte konkrete”, ka thënë ajo.

Mjetet financiare për procesin e zgjerimit janë në kuadër të fondit prej 200 miliardë euro të dedikuara për vendet e zgjerimit dhe ato të fqinjësisë. Krahas kësaj, vetëm për Ukrainën do të ndahen 100 miliardë euro.

Presidentja e Komisionit Evropian ka sqaruar që në rast se në periudhën prej vitit 2028 deri në vitin 2034 ndonjë vend i ri anëtar do të hyjë në BE, atëherë do të rishikohet dhe do të ndryshohet edhe korniza shumëvjeçare financiare.

Ajo ka sqaruar po ashtu se gjatë negociatave të anëtarësimit do të negociohen edhe aspektet financiare të anëtarësimit të vendit përkatës, në bazë të madhësisë së vendit kandidat dhe efektit që do të ketë në BE, siç janë pagesat për politikën e kohezionit dhe të bujqësisë.

“Prandaj obligimet dhe premtimet janë se me zgjerimin do të rishqyrtohet dhe buxheti, siç ka qenë edhe në të kaluarën”, ka thënë Von der Leyen.

Me këtë propozim të Komisionit ka nisur procesi i miratimit të dokumentit më të rëndësishëm të BE-së dhe kjo do të zgjasë deri në vitin 2027, kur duhet edhe të miratohet. Por në bazë të reagimeve të para nga Parlamenti Evropian (PE), i cili e ka kritikuar këtë propozim, do të jetë vështirë që të arrihet kompromisi.