LAJMET E MBRËMJES

VV-ja krekoset se shënoi rekord, paralajmëron shqyrtimin e Ligjit për paga në shtator

Bilancin e punës së një sesioni në Kuvendin e Kosovës e ka bërë të hënën Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas shefes së deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, puna e bërë në këtë pjesë të vitit ka shënuar rekord që nga shpallja e pavarësisë, me 87 ligje të miratuara e 18 marrëveshje ndërkombëtare.

Krahas kësaj, Kusari pranoi se në sesionin pranveror janë përballur me mungesë kuorumi, që e arsyetoi me angazhimet e deputetëve.

“Aktualisht ne do të punojmë me deputetët tanë që të kemi planifikim shumë më të mirë edhe të kohës kur udhëtimet ndodhin, janë edhe vizitat jashtë Prishtinës. Megjithatë, kemi arritur në një organizim më të mirë në javët dhe muajt e fundit kur së bashku me Kryesinë dhe kryetarin e Kuvendit kemi arritur që seancat të organizohen vetëm ditën e enjte, por të mos kemi seanca edhe ditëve të tjera...”, tha Kusari-Lila.

Shefja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes paralajmëroi se nga shtatori do të shqyrtojnë edhe Projektligjin për pagat e atë për Kodin Civil.

“Përkundrejt mendimeve ndryshe edhe në kuadër të grupit tonë parlamentar ne jemi shumë optimistë që Projektkodi Civil do të kalojë në sesionin vjeshtor dhe Kosova do të arrijë të ketë në aspektin normativ të rregulluar edhe këtë çështje e cila është tepër me rëndësi për të gjithë qytetarët pa dallim”, tha ajo.

Krahas punës që tha se e kanë bërë, deputeti Adnan Rrustemi kritikoi opozitën për instrumentalizim të problemeve.

“Ne luftojmë për to e kjo luftë nuk do të ndalet asnjëherë sa të ekzistojë. Nga kjo nuk mund të na ndalin as inskenimet në shesh, as kurdisjet nga forcat e regjimit të vjetër. Ne luftojmë sinqerisht për këto të drejta, haptas dhe publikisht pa skenarë të fshehtë dhe kurdisje, ngase ne jemi për organizim shoqëror të grupeve të tyre. Natyrisht, ndryshe nga ata që ende i shohin sindikatat e shoqatat si investim klanor nga ku duhet të marrin dividenten po klanore partiake”, tha Rrustemi.

Të premten e javës së shkuar ishte seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës për sesionin pranveror, derisa punës deputetët do t’i kthehen në mes të muajit shtator.