LAJMET E MBRËMJES

Vuçiq e Stoltenberg polemizojnë për ushtrinë serbe dhe për sulmin në Banjskë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, vizitën e tij në Ballkanin Perëndimor e ka vazhduar të martën në Serbi. Në Beograd ai ka polemizuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për vendosjen e ushtrisë në kufi me Kosovën, për sulmin paraushtarak në Banjskë e edhe për atë se kush duhet të ofrojë siguri për serbët.

Prania e ushtrisë së Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën ka përfshirë në polemikë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-S, Jens Stoltenberg.

Gjatë qëndrimit në Beograd, Stoltenberg i tha Vuçiqit se një veprim i tillë, nuk i ndihmon depërshkallëzimit të situatës.

“Unë llogaris në të gjitha palët që të ulin tensionet dhe të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese. Siç thashë, president Vuçiq, gjatë takimit tonë, grumbullimi i forcave ushtarake serbe sërish pranë vijës kufitare administrative nuk do ta ndihmonte situatën”, tha Stoltenberg.

Por, në sy të sekretarit Stoltenberg tha se nuk pranon urdhra nga askush në lidhje me veprimet e ushtrisë.

“Lidhur me forcat e armatosura të Serbisë, ato kanë kryer detyrën e vet në mënyrë profesionale. Nuk kanë kaluar kurrë mandatin, autorizimet që kanë. Kanë pasur gjithmonë raporte korrekte me KFOR-in dhe NATO-n. E, ku dhe si do ta vendosim ushtrinë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, pa rrezikuar askënd, kjo është punë e jona”, tha Vuçiq.

Stoltenbergu dhe Vuçiqi kanë treguar qëndrime të kundërta edhe për dhunën në veri dhe sulmin paraushtarak serb në Banjskë.

“Në maj, trupat tona të KFOR-it u sulmuan. 93 prej tyre u plagosën. Disa pësuan lëndime që ndryshoi jetën. Në shtator ne pamë një tjetër shpërthim të dhunës në Kosovë. Kjo është e papranueshme. Duhet të vërtetohen faktet. Autorët duhet të përballen me drejtësinë”, tha Stoltenberg.

“Meqenëse e di se Perëndimi është i interesuar vetëm për Banjskën dhe Zveçanin... Ne kemi një pikëpamje tjetër për atë që ka ndodhur, por i kuptojmë kërkesat e NATO-s dhe Perëndimit. Do të mundohemi që të kemi në të ardhmen komunikim më të mirë me NATO-n”, deklaroi Vuçiq.

Pas takimit presidenti serb është ankuar për gjendjen e serbëve në Kosovë dhe ka kërkuar nga NATO-ja mbrojtjen e tyre. E, sekretari Stoltenberg disa herë ka përsëritur se zbatimi i ligjit u takon autoriteteve të Kosovës.