“Asociacioni nuk është topprioriteti i normalizimit, është marrëveshja bazike. Andaj, të gjithë kolegët e mi, jo vetëm në Kosovë, unë i lus që të mos e nxjerrin nga paketa draftstatutin ose Asociacionin si një çështje”, ka theksuar Kurti, teksa ka shtuar se “nga 11 nenet e Marrëveshjes bazike, së paku tetë janë shkelur nga Serbia”
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është në krye të prioriteteve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por Marrëveshja bazë midis Kosovës e Serbisë, ka thënë të enjten kryeministri Albin Kurti.
Në konferencën për shtyp të mbajtur pas takimit me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, Kurti ka thënë se çështja e draftstatutit të Asociacionit nuk duhet të veçohet nga pakoja e marrëveshjes së dakorduar në Bruksel.
“Asociacioni nuk është topprioriteti i normalizimit, është marrëveshja bazike. Andaj, të gjithë kolegët e mi, jo vetëm në Kosovë, unë i lus që të mos e nxjerrin nga paketa draftstatutin ose Asociacionin si një çështje”, ka theksuar Kurti, teksa ka shtuar se “nga 11 nenet e Marrëveshjes bazike, së paku tetë janë shkelur nga Serbia”. Për këtë, ai ka kërkuar reagim nga Bashkimi Evropian. “Ne kërkojmë siguri ligjore, jo vetëm për zbatim të marrëveshjes, por edhe për respektim dhe mosshkelje të saj. Kjo është arsyeja kryesore pse kemi kërkuar të ketë nënshkrim të marrëveshjes... Normalizimi i marrëdhënieve nënkupton marrëveshje normale. Normalizimi duhet të jetë normal, andaj insistojmë të ketë nënshkrim të marrëveshjes dhe kërkojmë nga Bashkimi Evropian që si një arbitër gjithmonë të reagojë ndaj shkeljeve edhe më të vogla që mund t’i bëhen, e fatkeqësisht ato janë edhe të shumta, edhe s’janë të vogla”, ka thënë Kurti.
E homologu irlandez i Kurtit, Varadkar ka thënë se themelimi i Asociacionit nuk duhet të nënkuptojë krijimin e një shteti të ri përbrenda Kosovës.
“Duhet të bëhet edhe në koordinim me [komunat veriore të Kosovës], dhe nuk dua të shoh që të kemi një mikro-shtet të krijuar brenda Kosovës. Kjo nuk do të ishte diçka e dobishme për të ardhmen”, ka thënë ai.
Pas takimit me Kurtin, kryeministri irlandez ka shprehur qëndrim kundër mbajtjes në fuqi të masave që janë zbatuar kundër Kosovës.
“Besojmë që masat ndëshkuese që i janë vendosur Kosovës duhet të hiqen dhe ky është qëndrimi që ia shpalosa edhe kryeministrit dhe që ne e kemi bërë publikisht”, ka thënë ai, teksa Kosovës e Serbisë u ka kërkuar intensifikim të dialogut gjatë muajve të ardhshëm.
“Mendoj që mbi të gjitha, ky është një vit i rëndësishëm që stabiliteti të konsolidohet në veri të Kosovës dhe askush nga ne nuk dëshiron të shohë kthimin e skenave të dhunshme që kemi parë në shtator e në maj”, ka thënë Vadarkar. Ai ndërkaq ka ofruar edhe mbështetjen e Irlandës për shtegun e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.
Ai më pas është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, e cila, sipas njoftimit të Presidencës, ka thënë se Kosova e meriton statusin e vendit kandidat, pasi i mishëron vlerat evropiane dhe është në harmoni me ligjet e BE-së.