Në Bujanoc të Luginës së Preshevës, një person i maskuar ka vandalizuar një poster që e paralajmëronte ngjarjen kulturore për shënimin e 24-vjetorit të vdekjes së Ridvan Qazimit, i njohur si komandant Lleshi. Përfaqësues politikë shqiptarë në Luginë e kualifikuan veprimin përpjekje të hapur për të krijuar tensione e të motivuar nga urrejtja ndaj shqiptarëve, teksa kërkuan hetime të menjëhershme
Paralajmërime për koncertin përkujtimor për 24-vjetorin e vdekjes së Ridvan Qazimit, i njohur si komandant Lleshi, u vendosën prej ditësh në qendër të Bujanocit. Por, njëri prej tyre u thye mbrëmjen e së premtes me çekan nga një person i maskuar.
Këtë veprim e dënuan ashpër përfaqësues politikë në Luginë.
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e kualifikoi veprimin sulm ndaj çdo shqiptari në Komunë të Bujanocit.
“Sulmi ndaj figurës së Komandant Lleshit është sulm ndaj çdo shqiptari të Komunës së Bujanocit. Demolimi i figurës së tij është demolim i çdo tentative për të ndërtuar barazi e drejtësi. Ky sulm qyqar është produkt i politikave shoviniste, qoftë i përfaqësuesve qendrorë politikë serbë e qoftë edhe satelitëve të tyre lokalë”, ka thënë Kamberi.
Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, tha se rasti përbën përpjekje të hapur për të provokuar tensione.
“Ky është jo vetëm një sulm mbi kujtesën e një figure emblematike të rezistencës shqiptare, por një përpjekje e hapur për të provokuar tensione dhe për të fyer identitetin dhe historinë tonë kolektive. Këto akte nuk janë të rastësishme, por ato janë të organizuara, të motivuara nga urrejtja ndaj shqiptarëve”, ka thënë Rexhepi.
E kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka kërkuar që autoritetet përgjegjëse të ndërmarrin hetime të menjëhershme për rastin.
“Ky akt i ulët nuk i përfaqëson vlerat e qytetarëve tanë dhe të komunitetit tonë të shumëllojshëm që ndërton mbi respektin, tolerancën dhe bashkëjetesën. Ne e dënojmë fuqishëm këtë veprim dhe bëjmë thirrje që autoritetet përkatëse ta hetojnë rastin me seriozitetin e duhur. Nuk do të lejojmë që akte të tilla të cenojnë frymën e unitetit dhe të respektit që përpiqemi ta ndërtojmë çdo ditë”, ka thënë Pajaziti.
Komandant Lleshi ka qenë njëri prej themeluesve dhe nga komandantët e shquar të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Në nder të tij, në Bujanoc mbahen për çdo vit Ditët e komandant Lleshit, gjatë të cilave shfaqen programe kulturore-artistike.